Nga:  Luan Rama/

Çështjet e administrimit të territorit, pa dyshim që janë çështje shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme. gjithashtu. Gjykoj se  konceptimi apo trajtimi i çështjeve të administrimit apo të menaxhimit  të territorit  vetëm duke u kushtëzuar te një rrugë, te një shesh apo te një lulishte, jo vetëm që nuk na bën të mundur të përmbushim misionin, por pastaj krijojmë hapësira  dhe mundësi për të keqpërdorur territorin, siç ka ndodhur  për  fat të keq në vijimësi, të paktën në 10-15 vjet e këtej, por në mënyrë më të  drejtpërdrejtë do të thosha  se  ajo që ka ndodhur gjatë vitit 2016 me kultivimin e  kanabisit në një sipërfaqe  shumë të zgjeruar të territorit të vendit, dua të fokusoj edhe një herë në vëmendjen tuaj rëndësinë që merr leximi real dhe pa ekuivok i raportit  më të fundit  të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili evidenton një mori problemesh, të cilat po t’i shikosh me objektivitet dhe me realizëm,  na bëjnë të konkludojmë se nuk kanë funksionuar si duhet  institucionet  përgjegjëse për të përmbushur detyrimet ligjore që kanë në kuadër të  angazhimit tonë shtetëror dhe qeverisës  për luftën kundër trafikut të drogës, kultivimit dhe   trafikimit të lëndëve narkotike.

Në vlerësimin tim edhe  me rileximin, pas vërejtjes miqësore  që mu bë për ta lexuar  më realisht  raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, rezulton se ky është një dokument  që identifikon një situatë problematike, shqetësuese, pas  së cilës nuk ka vend për t’u mburrur dhe as për të duartrokitur, por ka vend për të reflektuar dhe për të nxjerrë përgjegjësi, ka vend për të reaguar në mënyrë institucionale, të fortë, të prerë dhe të vendosur për të dëshmuar se   vullneti mund të konkretizohet me veprim  dhe me aksion konkret në zbatim të ligjit.

Raporti i   Departamentit Amerikan të Shtetit ka dy kapituj, ose dy kolona. Njëra  që  ka të bëjë me luftën kundër drogës. Tjetra  që ka të bëjë me pastrimin e parave. Meqenëse  ka pasur  ndonjë keqkuptim për mënyrën sesi e  lexova unë raportin e  Departamentit Amerikan të Shtetit, më lejoni t’jua  rilexoj fjalë për fjalë siç është shkruar nga Departamentit Amerikan i Shtetit dhe jo nga zyra e shtypit  apo  nga zëdhënësi i LSI-së.

Në raport thuhet: “Vendi, pra, Shqipëria vazhdon të përballet me riskun e lartë të pastrimit të parasë, për shkak të korrupsionit galopant dhe institucioneve të dobëta juridike dhe shtetërore”.

Çfarë ka ndodhur me pastrimin e parasë? Meqenëse  mu kërkua të bëj një vlerësim  krahasues të raporteve  ndër vite, kam këtu raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 2016.

Në këtë raport thuhet: “Shqipëria nuk figuron në vendet e listuara dhe të verifikuara për pastrimin e parave”. Ndërkohë në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 2017 që i referohet vitit 2016  “Shqipëria figuron në vendet problematike për pastrimin e parave”. Ky është progresi? Pse duhet të fshihemi pas  këtij realiteti për të thënë: “Po sulmohet qeveria apo po njolloset puna e institucioneve ?”.

 

Më lejoni të vazhdoj më tej me raportin: “ Shqipëria ka një treg të zi  të konsiderueshëm për mallrat kontrabandë dhe kontrabanda lehtësohet nga faksi se kontrollet kufitare  dhe pikat doganore janë të dobëta”.

Ky konstatim   nuk ka qenë në raportin e vitit të kaluar, as në raportin e vitit 2015, as dhe në raportin e vitit  2014. “ Kontrolli i dobët i kufijve dhe i funksionimit të doganave”. “Shqipëria prodhon dhe eksporton,  thotë raporti, sasi të konsiderueshme marijuane, kryesisht  për konsum në Europë dhe është vend transit  për heroinën dhe kokainën afgane, duke shërbyer, e theksoj si portë kyçe për shpërndarjen e heroinës në mbarë Europën”.

Nëse ka ndonjë  keqkuptim për këtë gjë, më lejoni t’jua   jap raportin edhe në anglisht  nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Pra, kjo është situata  të nderuar kolegë dhe  duke  i qëndruar  kësaj situate  përballë ne duhet të dëshmojnë forcën tonë për të reaguar dhe për të vepruar në përmirësimin e saj dhe për të reaguar ndaj partnerëve tanë strategjikë me seriozitetin që kërkon një partneritet  strategjik.

Vazhdojmë më tej, se çfarë thotë raporti. “Organet ligjzbatuese e kuptojnë nevojën për të luftuar pastrimin e parave, por mbeten jo efikase në këtë drejtim”, për të mos e lexuar fjalë për fjalë. Thuhet: “Po, është e  vërtetë që vitet e fundit  Shqipëria ka bërë përparime teknike në regjimin e saj kundër pastrimit të parave”  e të tjera e  të tjera, por mungon  eficenca e  veprimit të institucioneve shtetërore në këtë aspekt.

Meqenëse  u kërkua gjithnjë të bëhet një vlerësim krahasues dhe mua metoda e analizës krahasuese më pëlqen, më lejoni të them që gjithmonë sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili i referohet edhe raporteve që vijnë nga Antidroga italiane dhe nga Guardia di Finanzia, në vitin 2014  thotë raporti u identifikuan 815 plantacione me rreth 165 mijë rrënjë kanabis të kultivuara në Shqipëri, ndërsa në vitin 2015, 1200 plantacione me rreth 243 mijë   rrënjë.

Nuk besoj  se ka ndonjë  naiv  të  mos e kuptojë se 815-ta e vitit 2014, është më e vogël se 1200 plantacionet e  vitit 2015 apo thotë raporti: “në vitin 2016 rezultojnë 2086 plantacione të kultivimit të drogës, duke shënuar një rritje të përgjithshme pesë herë krahasuar me vitin më parë”. Ky është progresi? Për këtë duhet të jemi krenarë? Pra, situata është e tillë që kërkon reagim shtetëror, reagim ligjor dhe të përgjegjshëm.

Ka një ligj të cilin, për fat të keq, gjatë këtyre ditëve e kam konsultuar me shumë funksionarë ministrish, por që, për fat të keq, nuk e dinin se ekziston, është ligji nr. 8750, i miratuar më 26.03.2001 dhe i ndryshuar më 15.09.2016 “Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike dhe psikotrope”. Çfarë thotë ky ligj? Ky ligj thotë: “Krijohet Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës kundër Drogës nën drejtimin e Kryeministrit. Në këtë komitet marrin pjesë ministrat përgjegjës për rendin, për mbrojtjen, për arsimin, për drejtësinë, për financat, për shëndetësinë…” dhe me radhë, numëron listën e ministrave anëtarë të këtij komiteti.

Ligji thotë, në nenin 3 të tij, se “komiteti mblidhet të paktën dy herë në vit dhe ka për detyrë të përcaktojë drejtimet e politikës së përgjithshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar të parandalimit dhe të luftës kundër prodhimit dhe përhapjes së paligjshme të substancave narkotike” e të tjera.

Po ky ligj thotë: “Për realizimin e veprimtarisë së tij Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit ka një sekretari, drejtuesi i së cilës emërohet nga Kryeministri, dhe sekretaria përbëhet nga një staf i përhershëm specialistësh, që përcaktohen nga ministritë anëtare të këtij komiteti”.

Kam konsultuar disa ministri për të parë se cilët janë përfaqësuesit e tyre në këtë sekretari, që është në përbërje ose në ndihmë të Komitetit Kombëtar të Bashkërendimit, dhe nuk kam gjetur asnjë. Ndërkaq, në nenin 5 ligji thotë në mënyrë taksative: “Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit, nëpërmjet Kryeministrit…”, që është kryetari i këtij komiteti “…brenda datës 30 mars të çdo viti i paraqet Kuvendit një relacion me të dhënat që kanë të bëjnë me paraqitjen e dukurisë së drogës në Shqipëri, me strategjitë e përshtatura, me objektivat e arritura, me orientimet e ardhshme të qeverisë për detyrimet ndërkombëtare”.

Për të qenë transparent dhe korrekt, i drejtohem administratës së Kuvendit me një shkresë, ku i kërkoj që në bazë të ligjit aq e kaq Kryeministri detyrohet që përmes praktikës e të tjera Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit brenda datës 30 mars t’i paraqesë Kuvendit këtë relacion. Në funksion të njohjes me këtë relacion dhe për të bërë të mundur një analizë krahasuese të progresit të shënuar, kërkoj të mësoj, të njihem, të më vihet në dijeni relacioni i vitit 2014, i vitit 2015 dhe i vitit 2016.

Cila është përgjigjja e administratës së Kuvendit? “Në përgjigje të kërkesës suaj, datë 6 mars…”, e të tjera “…në arkivën e dokumentacionit parlamentar nuk rezulton të ketë relacione të Komitetit Kombëtar të Bashkërendimit të Luftës kundër drogës për vitet që ju kërkoni respektivisht 2014, 2015 dhe 2016”.

Natyrisht, është përgjegjësi, është moszbatim i ligjit dhe mosrespektim i autoritetit të Kuvendit që ky relacion nuk ka ardhur në Kuvend nga Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës kundër drogës, por është edhe përgjegjësi e Kuvendit, gjithashtu, e komisionit që merret me çështjet e sigurisë kombëtare që nuk ndjek zbatimin e ligjeve, që nuk ndjek detyrimet ligjore që kanë institucionet e tjera të varësisë dhe këtu, në krye të këtyre institucioneve është qeveria shqiptare, janë ministritë, në përmbushje të detyrimeve ligjore. Atëherë, a ka vend këtu për të qenë krenarë që ne e paskemi bërë detyrën tonë dhe zëdhënësi i LSI-së e paska lexuar gabim raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, sepse i paska rënë më qafë qeverisë me hienat që kanë dalë nga oborri i Partisë Socialiste? Kjo është mënyra serioze, korrekte e reagimit përballë një realiteti ligjor, që na bën të ulim kokën, të ngremë përgjegjësinë dhe të marrim përsipër të përmbushim detyrimet?

Por le të vazhdojmë më tej.

Në të njëjtin ligj thuhet: “Struktura për hetimin e veprave penale në fushën e lëndëve narkotike në Policinë e Shtetit organizohet në nivel qendror dhe struktura përgjegjëse është struktura qendrore për hetimin e lëndëve narkotike, është përgjegjëse për parandalimin dhe luftën kundër veprave penale në fushën e lëndëve narkotike dhe për trajtimin në mënyrë të unifikuar të veprimtarisë së Policisë së Shtetit në këtë fushë.”

Por nuk është vetëm Policia e Shtetit përgjegjëse dhe as vetëm Ministria e Brendshme, ka përgjegjësi të papërmbushura edhe Ministria e Bujqësisë, edhe Ministria e Arsimit, edhe Ministria e Shëndetësisë, edhe Ministria e Mbrojtjes, sepse të gjitha institucionet që janë në përbërje të Komitetit Kombëtar për Bashkërendimin e Luftës kundër Drogës duhet që dy herë në vit për mbledhjen e këtij komiteti, që duhet të ishte bërë dy herë në vit, por që nuk më rezulton se është bërë, të dërgojnë informacione me shkrim mbi përgjegjësitë që kanë përmbushur, detyrimet që  kanë plotësuar dhe çfarë planifikojnë të bëjnë në proces.

Ndërkaq, edhe një problem që është, gjithashtu, shumë i rëndësishëm ka të bëjë me asgjësimin e substancave narkotike ose psikotrope të sekuestruara. Ligji e thotë qartë në nenin 28, pika 2: “Asgjësimi i tyre bëhet në prani të prokurorit, të oficerit të Policisë Gjyqësore dhe të personit të autorizuar nga gjykata. Për dokumentimin e këtij veprimi mbahet procesverbal në 3 kopje”.

Kam identifikuar deri tani të paktën 13 raste të asgjësimit të lëndëve narkotike, ku nuk është mbajtur asnjë procesverbal, ku nuk ka qenë prezent prokurori, ku nuk ka qenë prezent përfaqësuesi i gjykatës. Kemi të bëjmë me provë të një procesi hetimi, të një procesi penal.

Çfarë ndodh?

Një pjesë e të arrestuarve për trafikun e lëndëve narkotike kanë mbetur tani nëpër gjykata sepse nuk ka prova, se është djegur droga kinse, që është zënë në operacionin për arrestimin e tyre dhe është djegur pa dokumentacion, pa procesverbal që duhet të mbahet në 3 kopje.

Madje, më lejoni t’ju bëj të qartë që edhe 101 tonët që u sekuestruan në operacionin shumë të mirë që bëri policia në Lazarat, janë asgjësuar pa procesverbal. Pra, kemi të bëjmë me shkelje të ligjit, kemi të bëjmë me mosveprim të organit të prokurorisë përballë këtij realiteti.

Prandaj është e rëndësishme, gjykoj unë, që jo të reagojmë, por të reflektojmë, të mbledhim edhe një herë strukturat që ligji na detyron t’i mbledhim, t’i vëmë në punë strukturat për të cilat ligji na bën përgjegjës, t’i drejtojmë dhe t’i organizojmë për t’i vënë në punë dhe të respektojmë rolin dhe autoritetin e gjithsecilit, sepse neve sot na mungon, të paktën Kuvendit i mungon, një analizë e detajuar se përse është kjo situatë kaq problematike me trafikun e drogës në Shqipëri? Pse është kjo situatë kaq problematike 5 herë më e lartë se një vit më parë me kultivimin e drogës në Shqipëri dhe për paradoks është kultivuar droga edhe në bjeshkët e Shkëlzenit, edhe në malin e Korabit, edhe në malin e Tomorit, edhe në malin e Gramozit, ku nuk është kultivuar asnjëherë? Ky është realiteti, të nderuar kolegë dhe nëse duam të dëshmojmë që dimë të administrojmë territorin, që dimë të kontrollojmë territorin, pikë së pari këtë duhet ta bëjmë duke zbatuar ligjin.

Në mbyllje, meqenëse jemi në fund të muajit mars, besoj që deri në datën 30 mars të këtij viti, siç është detyrimi ligjor, Komiteti Kombëtar i Koordinimit të Luftës Kundër Drogës do ta sjellë raportin e vitit 2017, për të dëshmuar që realisht ka përgjegjësi, ka angazhim dhe ka seriozitet në zbatim të ligjit. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë më vendi i kultivimit të drogës në 2017-ën, në mes të Europës. Përgjegjësia është jona, pa dyshim, e të gjithë shoqërisë shqiptare, por përgjegjësia kryesore është e maxhorancës, është jona si të votuar për të qenë në maxhorancë, është e qeverisë shqiptare dhe reflektimi, edhe një herë e theksoj, duhet të jetë i menjëhershëm, konkret, i vendosur, i rreptë në zbatim të ligjit përballë cilitdo. Situata zgjedhore që afron, fokusimi i të gjithëve te zgjedhjet krijon një vakuum vëmendjeje, të paktën ky ka qenë realiteti i viteve më parë, dhe trafikantët mund ta shfrytëzojnë këtë situatë për të bërë të njëjtën gjë, prandaj reagimi nuk është më shumë për të analizuar çfarë nuk është bërë mirë në të shkuarën, që natyrisht duhet bërë, por për të përcaktuar masat që duhet ndërmarrë që 2017-a të mos ngjajë me 2016-ën për sa i përket kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

*Fjala e deputetit Luan Rama, sot në seancë plenare në Kuvend