Sot në mëngjes, në gjithë shënohen 9 vatra zjarri. Harta ‘e zjarrit’ përfshin vendin nga Jugu në Veri: Vlorë, Fier, Durrës, Berat, Tiranë, Lezhë dhe Dibër.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 75 zjarrfikës me 13 automjete, 60 forca ushtarake, si dhe helikopterë.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

Ja edhe harta e detajuar me zjarre:

QARKU BERAT

Në malin “Partizani”, në pjesën jugore të kurorës së qytetit Berat, u riaktivizuan disa vatra zjarri të cilat u përhapën me shpejtësi nga era e fortë. Zjarret kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe për këtë është ndërhyrë nga ajri me anë të helikopterit. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe rreth 40 ha me shkurre.

QARKU VLORË

Zjarri i nisur para tre ditësh në malin Mile, Konispol ka vazhduar edhe gjatë natës por me një intensitet më të ulët. Zjarri është shuar vetëm në orët e para të mëngjesit.

QARKU TIRANË

Në fshatin Pezë Helmes, Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe shkozë. Zjarrfikëset e Tiranës kanë shkuar në vendngjarje duke punuar me mjete rrethanore për shkak të terrenit. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 30 forca të ushtrisë dhe një helikopter që kanë shuar të gjitha vatrat. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre dhe shkozë.

QARKU DIBËR

Vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Liqeni i Zi”, Bulqizë, ka vijuar edhe gjatë natës. Zjarrfikëset e kanë pasur të pamundur për të vepruar për shkak të terrenit të thyer malor. Situata gjatë ditës së djeshme është monitoruar nga forca të shërbimit pyjor. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e madhe me shkurre dhe pisha.

QARKU LEZHË

Zjarri i rënë në  fshatin Nënshejt, Mirditë është shuar plotësisht. Flakët kanë rrezikuar disa zona të banuara, por pas ndërhyrjes së zjarrfikësve të cilët kanë punuar me mjete rrethanore, zjarri është shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 15 ha me shkurre dhe pisha.

QARKU KUKËS

Në fshatin Dragobi, Tropojë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha në parkun natyror të Valbonës. Zjarrfikëset e kanë pasur të pamundur për të shkuar në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Nga informacioni i marrë sipërfaqja e djegur është 2 ha. Vatrat e zjarrit kanë qenë larg nga zona e banuar.

QARKU FIER

Në fshatin Çerven, Fier, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me shkurre dhe 40 rrënjë ulliri.

QARKU DURRËS

Në fshatin Likmetaj, Durrës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 6 dynym me shkurre dhe pisha.

QARKU SHKODËR

Në fshatin Gruemirë, Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me bimë medicinale. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë shuar. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe rreth 1 ha me bimë medicinale, sherebel.