Këshilli i Ministrave ka mbajtur mbledhjen e radhës mëngjesin e 10 nëntorit, ku një sërë vendimesh janë marrë, mes të cilëve një plan për bashkëmenaxhimin e ujësjellësve, për luftën ndaj krimit të organizuar dhe atë kundër fatkeqësive natyre, si edhe fillimin real të nismës “Gati për Shqipërinë”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku foli e para mbi vendimet e Qeverisë.

(Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku)

Bashkëmenaxhimi i ujësjellësve mes Qeverisë qendrore dhe bashkive, ka qenë vëmendja kryesore.

Sipas ministres, mënyra e re e menaxhimit të tyre, pritet të sjellë më shumë efikasitet.

“Rreth 900 milionë euro janë investuar. Janë rritur kushtet teknike të ujësjellësve. Gjithsesi, indikatorët nuk janë siç i prisnim pas investimeve”, tha ministrja.

Pavarësisht bashkërendimit të punës që pritet, ajo garantoi autonominë vendore nga ana e pushtetit lokal. Gjithsesi, shërbimi cilësor ndaj qytetarëve do të jetë parësor.

Luftë krimit të organizuar

Ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, ka prezantuar vendimin për një plan të ri konkret në luftën ndaj krimit të organizuar.

Ky plan sipas tij, është pjesë e një strategjie katër-vjeçare qeverisëse.

(Ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi)

Nëpërmjet tij synohet parësisht edhe parandalimi deri tek evitimi i trafikut të personave.

E gjithë struktura është përgatitur nga ndërlidhja e shumë institucioneve kombëtare. Po ashtu, rol kanë luajtur edhe partnerët ndërkombëtarë, në dhënien e ndihmës mbi organizimin e planit.

Gati për Shqipërinë

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, tha përpara gazetarëve se nisma “Gati për Shqipërinë” është tashmë në fazë të nisjes së punës.

Ky ka qenë një proces disa-mujor, i cili ka parë angazhimin e gjithë Qeverisë, në dëgjimin e ideve të studentëve ekselentë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

(Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi)

Sipas ministres, fituesve do t’u ofrohet një kontratë një-vjeçare pune.

Nga ana tjetër, do të ngrihen edhe qendrat e ekselencës. Pra, të gjithë ata, të cilët kanë shprehur ide apo koncepte, mund të përfshihen në to.

Për aplikuesit e përzgjedhur ndërkaq, do të vijojnë procedurat, në mënyrë që të nisë procesi i ndihmës që ata do t’i japin administratës shtetërore.

Nxitja e vullnetarizmit

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka qenë i fundit nga radhët e ministrave, i cili ka shpalosur vendimet e Qeverisë për sa i përket dikasterit të tij.

Vendimi i parë, ishte i lidhur me përditësimin e listës së artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë.

(Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi)

Pika e dytë, është përpjekja për të nxitur vullnetarizmin në Shqipëri.

Sipas ministrit, qindra vullnetarë duan të bashkohen në nisma. Ndër të fundit, ajo mbi përballjen e fatkeqësive natyrore.

Pikërisht me anë të këtij vendimi, i jepet mundësia institucioneve përkatëse që të trajtojë vullnetarët me më shumë dinjitet.

“Kemi mundësi t’i trajtojmë ata me transport akomodim por edhe një pagesë dinjitoze të merituar”, përmbylli Peleshi fjalën e tij./AP/