Venezuela po përballet me një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore në historinë e saj, pasi numri zyrtar i viktimave nga tërmetet e dyfishta që goditën vendin është rritur në të paktën 920, ndërsa mbi 50 mijë persona rezultojnë të zhdukur.
Lajmi u konfirmua nga kryetari i Parlamentit të Venezuelës, Jorge Rodriguez, i cili tha se operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje në zonat më të goditura. Tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën rreth 160 kilometra në perëndim të Karakasit, duke shkaktuar shembjen e qindra ndërtesave dhe dëme të mëdha materiale.
Sipas autoriteteve, shteti verior La Guaira është zona më e prekur dhe është vendosur nën kontroll të plotë të forcave ushtarake për të koordinuar operacionet e emergjencës.
Një platformë e krijuar për regjistrimin e personave të zhdukur kishte marrë mbi 50 mijë raportime deri në mesditën e së shtunës, ndërsa OKB-ja paralajmëron se bilanci i viktimave pritet të rritet ndjeshëm.
“Në këtë moment kemi të bëjmë me një operacion shpëtimi jashtëzakonisht kompleks. Mbi 50 mijë persona raportohen të zhdukur dhe kërkimet në rrënoja janë një mision kolosal”, deklaroi shefi i çështjeve humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, në një intervistë për AFP.
Ndërkohë, ekipet ndërkombëtare të shpëtimit kanë nisur të mbërrijnë në Venezuelë. Deri tani, 871 punonjës të huaj të emergjencës janë angazhuar në terren, me ekipe të dërguara nga Meksika, El Salvadori, Spanja dhe vende të tjera.
Edhe Turqia ka nisur ndihma, ndërsa shërbimet e emergjencës publikuan pamje të një avioni transportues C-130 që u nis drejt Venezuelës me personel dhe pajisje për operacionet e shpëtimit.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), ekziston një probabilitet i lartë që numri i viktimave të kalojë 10 mijë, çka do ta rendiste këtë fatkeqësi ndër tërmetet më vdekjeprurëse në Amerikën Latine gjatë shekullit të kaluar.
Autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare vijojnë garën me kohën për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja, ndërsa familjet presin me ankth lajme për të afërmit e tyre.
Komente