Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori është përballur me procesin e Vettingut. Zaganjori ka marrë pjesë në seancën dëgjimore të zhvilluar sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që drejtohet nga Olsi Komici, me anëtarë Roland Ilia dhe Pamela Qirko.

Kryetari i Gjykatës së Lartë zotëron një pasuri familjare me vlerë rreth 58.7 milionë lekë, ndërkohë që të ardhurat ndër vite llogariten në 99.7 milionë lekë.

Relatorja e çështjes Pamela Qirko tha se sipas ILDKPKI, Zaganjori rezulton i pastër dhe pa probleme me pasurinë, por ka kryer deklarim të pasaktë për  apartamentin në Tiranë dhe një dyqan. Sipas KPK, ai ka shmangur detyrimet tatimore ndaj shtetit, duke gënjyer për vlerën e pronave. Deklaratat e Zaganjorit për pasuritë janë kontradiktore, pasi vlera e pronës së regjistruar në hipotekë, nuk korrespondon me atë reale.

“Zaganjori ka apartament 293 m² ne Tirane, blerë në 2001 dhe ka një apartament  81 m² në Durrës.  Për apartamentin në Tiranë ka të dhëna kontradiktore, pasi ka kryer deklarim të pasaktë. Për dyqanin me sipërfaqe 70 m2 ka shmangie të detyrimeve tatimore. Subjekti ka deklaruar ne Vetting se është blerë për 1.4 mln leke me të ardhura personale dhe nga qiraja. Kjo pasuri është deklaruar edhe ne 2003 si biblioteke për 1.8 mln leke. Lidhur me apartamentin me sipërfaqe 293 m2, hipoteka ka sjellë kontratën se është blerë për 500 mijë lekë. Zaganjori e ka deklaruar 5.2 milionë lekë njëherë dhe më pas 7 mln lekë e me sipërfaqe 200 m2. Për këtë pronë ka të dhëna të pasakta. Zaganjori ka bërë deklarim të pasaktë, fiktiv, ka shmangie të detyrimeve në buxhetin e shtetit. ”- thuhet në raportin e KPK.

Cili është kryetari i Gjykatës së Lartë, Zaganjori?

 

Xhezair Zaganjori është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 1981 dhe që nga ajo kohë ka qenë lektor i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, të Drejtës Europiane dhe të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës dhe Shkollën e Studimeve Europiane.

Në vitet 1992-1997, Zaganjori ka qenë ambasador në Gjermani. Ndërsa në vitet 1998-1999 ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, për të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtën Kushtetuese në Heidelberg të Gjermanisë.

Në vitin 2003, Zaganjori është zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese, detyrë të cilën e ka mbajtur për një dekadë. Në mars të vitit 2013 ai zgjidhet anëtar i Gjykatës së Lartë dhe një muaj më pas emërohet kryetar i kësaj gjykate.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Xhezair Zaganjori nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.