Nga Veritas.com.al/

Sipas ekspertëve të ligjit, Kuvendi i Shqipërisë dhunoi kushtetutës e Republikës ditën që e shtyu Vetttingun edhe shtatë ditë. Kjo ndodhi këtë të Hënë kur Kuvendi u mblodh pa opozitën dhe për të mbuluar “korrektesën” me Vettingun , nuk tha se “dështuam”, por e shtyu me shtatë ditë. Njëkohësisht Kuvendi vendosi që Vettingun ta kalojë te Avokati i Popullit, nga ku do të kthehet përsëri në Kuvend.

Ekspertët thonë se kjo bie ndesh me Kushtetutën e Republikës, për këto arsye: E para se ky afat (7 ditë) nuk ka asnjë referencë Kushtetese; dhe, e dyta se kur kthehet ligji nga Kuvendi, atëherë shkon direkt te Presidenti i Republikës, jo te Avokati i Popullit, siç ndodhi në rastin konkret.

Dështimi tjetër:

Procesi i vettingut që po administrohet nga Avokati i Popullit rrezikon të kthehet në një kolaps ligjor dhe kushtetues, për shkak të përfundimit të mandatit të Avokatit të Popullit. Igli Totozani e ka përfunduar mandatin e tij pesë vjeçar qysh në 22 dhjetor të vitit të shkuar, dhe ende nuk është zëvendësuar; atëherë si mund të administrojë një ligj si ky kur avokati ndodhet jashtë mandatit ligjor?!

Komisioni i Ligjeve, si komision përgjegjës për zgjedhjene Avokatit, i ka nisur procedurat e zëvendësimit që vitin e kaluar dhe e shtyu procesin me 20 ditë. Ligji thotë se Avokati i ri duhet zgjedhur brenda një muaji nga mbarimi i mandatit të të parit, duke llogaritur edhe shtesën e komisionit, duhet që pasuesi i Totozanit duhet të ishte zgjedhur deri në 18 shkurt.

Në këtë rast, jo për faj të tij, Totozani po qëndron në detyrë tej parashikimeve ligjore, shkruan Shqiptarja.com.

Por ku rrezikon që prania e Totozanit në mënyrë antikushtetuese në krye të institucionit të rrezikojë kushtetutshmërinë e procesit të vettingut? Gjykata Kushtetuese ka marrë në 27 korrik 2017, një vendim me numër 55, në shqyrtim të çështjes nëse duhet apo jo që Anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani duhet apo jo të ushtronte detyrën, në kushtet kur mandati i ishte përfunduar por nuk ishte zëvendësuar.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të vlefshme në të gjitha rastet e ngjashme, sikurse ky i Totozanit. Ja çfarë shkruante në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese në këtë rast: “Për çdo rast, kur rregullimi kushtetues parashikohet shprehimisht prej saj, ai, detyrimisht, do të zbatohet drejtpërdrejt. Për funksionet kushtetuese të organeve, atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta, nuk mund ta bëjë ligji (shih vendimin nr. 22, datë 24.4.2015 të Gjykatës Kushtetuese).”

Kur Kushtetuta nuk e ka shprehur vijimin e mandatit të Avokatit të Popullit deri në zgjedhjen e të riut, dispozita ligjore është e pavlefshme. Pra, edhe në rastin e Avokatit të Popullit vazhdimi i mandatit nga ana e Totozanit në këtë logjikë, mund të konsiderohet anti-kushtetuese dhe cenon rezervën absolute ligjore.

 

Kjo nënkupton që i gjithë procesi i bërë nga Totozani të konsiderohet i pavlefshëm. Pra, procesi i Vettingut është në rrezik nga pavlefshmëria e procesit të AP-së. Nëse opozita në bojkot e dërgon këtë proces në Kushtetuese, me logjikën e vendimit të mëparshëm të Kushtetueses, procesi mund të deligjitimohet.

/Veritas.com.al/