Nga: Anta Muçaku / newsbomb.al
Ervis Gega- Dodi, violinistja fierake e cila jeton që prej vitit 1990 në Gjermani duke ndërtuar aty një karrirerë tejet të suksesshme e duke prekur mandej skenat mbarë botërore përmes artit të saj, disa ditë më parë mori titullin e lartë “Naim Frashëri” nga Presidenti Ilir Meta përmes një ceremonie zhvilluar në Berlin.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e dhënë nga violinistja e shquar për lartësimin e emrit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Violinistja, e cila njihet nga shumëkush si artisja e cila emocionoi qeverinë gjermane pas performancës në ceremoninë e varrimit të Genscher, (një prej personaliteteve më të shquara të historisë gjermane të pasluftës), ka rrëfyer për neësbomb.al se ndjehet krenare për titullin e dhënë nga Presidenti Meta ndërsa kujton edhe momente të vështira nga fëmijëria e saj.
INTERVISTA E PLOTË:
Së fundmi, ju morët titullin e lartë “Naim Frashëri” përmes një ceremonie në Berlin nga Presidenti Meta. Si ju bën të ndiheni ky fakt?
Ky titull më bën të ndihem e vlerësuar për punën shumëvjeçare timen dhe të prindërve të mi. Një punë vetëmohuese dhe me shumë sakrifica për vite më radhë. Më bën pa dyshim të ndihem krenare dhe e lumtur fakti që vlerësimin sot ma bën vendi në të cilin kam lindur dhe ku kam kaluar fëmijërinë, ku kam kaluar edhe pjesën më të vështirë të jetës sime, ku për shkak të persekutimit politik përjetova që fëmijë në moshë të njomë mbi vete shtypjen dhe masakrën e luftës së klasave.
Do të doja te ndanit ndonjë moment të veçantë nga ceremonia, diçka që do e mbani mend gjatë…
Ceremonia kishte për mua një bukuri shumë të veçantë, pasi Shqipëria më dekoroi në vendin ku jetoj prej disa dekadash: në Gjermani, në Berlin. Ishte një ceremoni që u zhvillua në një nga vendet më të preferuara të mia, përballë me sallën e famshme të koncerteve “Berliner Konzerthaus”, në të cilën unë debutoj rregullisht.
Ju jetoni tanimë në Gjermani prej vitesh ku dhe shpalosni gjithë veprimtarinë tuaj artistike. Pse kjo zgjedhje?
Gjermania ishte shteti në të cilin preferoi të vinte familja ime, që kur Shqipëria ishte ende nën diktaturë, e asfiksuar prej saj. Dhe ky vendim kishte arsye. Gjermania jo vetëm që është historikisht djep i muzikës klasike, por ofron edhe sot infrastrukturën më të shkëlqyer për muzikantët e muzikës klasike. Nuk duhet të harrojmë që Gjermania është i vetmi shtet në Evropë me 130 orkestra shtetërore të muzikës klasike, pa përfshirë këtu orkestra private, që e kalojnë numrin e orkestrave shtetërore. Janë 24 universitete të muzikës në Gjermani ku shkollimi është krejtësisht falas.
Para pak ditësh dëgjova intervistën e një shkencëtari amerikan, që e pyetën se pse e pati zgjedhur Gjermaninë për të studiuar këtu. Dhe përgjigjja e tij ishte: sepse Gjermania është i vetmi vend, ku çdo darkë mund të shkosh të ndjekësh një opera apo një koncert të muzikës klasike, kur e dëshiron këtë.
Si i keni marrëdhëniet me Shqipërinë? Do na nderoni me ndonjë koncert së afërmi?
Me Shqipërinë kam qenë gjithmonë e lidhur edhe artistikisht. Ndër vite kam qenë pjesëmarrëse në shumë koncerte dhe aktivitete. Edhe së shpejti planifikoj të vij për disa projekte artistike, të cilat do të bëhen të njohura për mediat muajt e ardhshëm.
Ju jeni violinistja me e re në Akademine e muzikës “Villa Musica”. Si ia keni dalë?
Jeta ime akademike filloi në moshë shumë të re, 28 vjeçare. Ishte një ëndërr e imja që u realizua shumë më herët seç e prisja edhe vetë.
Duke qene se jeni dhe pedagoge, pra ushtroni kësisoj edhe mësimdhenien, si i shikoni studentët tuaj në raport me violinën? A e duan ata instrumentin dhe artin në përgjithësi?
Lidhja ime me studentët e mi është shumë e fortë. Fakti që unë jam edhe soliste aktive në skenë vlerësohet dhe është shumë tërheqëse për studentët e mi, të cilëve në orët e mësimit u përcjell jo vetëm elementë metodikë e teknikë të lojës muzikore, por edhe elementë frymëzues për performancën artistike. Studentët vijnë më dëgjojnë edhe në koncerte. Dhe duke e përjetuar pedagogen e tyre edhe në skenat koncertore, ata inspirohen dhe hyjnë akoma më natyrshëm e më thellë emocionalisht në botën e artit.
Cili është mesazhi juaj për të rinjtë instrumentistë?
Dua t’i sugjeroj çdo prindi që t’i angazhojë fëmijët të mësojnë një instrument muzikor, pavarësisht nëse do ta bëjnë këtë për ta kthyer në profesion, apo për pasion të kohës së lirë. Edhe studimet më të fundit shkencore vërtetojnë ndikimin unikal të muzikës në trurin e çdo njeriu, aq më tepër të fëmijës, për mirëzhvillimin e njeriut, për zhvillimin e fantazisë, intuitës dhe inteligjencës.
Veritas.com.al/