Nga: JOSIF PAPAGJONI
Vjeshta ka ardhur e plotë, me gjethe dhe njerëz, me gjithë trishtimin e saj, por dhe kujtesën e hirshme për emra te shquar qe këputen. Edhe Melpomeni Çobani, kjo aktore qe na ka mbushur shpirtrat me gëzim, ja ku vjeshta vjen dhe ajo shkon ku do shkojmë te gjithë. Por, ama, la pas një dritë, la pas një emër, një kujtese te bukur. Këtu me poshtë, nga libri im Enciklopedia e Teatrit dhe e Kinematografisë shqiptare, kam shkëputur zërin kushtuar asaj.
ÇOBANI, Melpomeni (1927- 2016).
Aktore. Lindi në Tiranë, më 5 qershor. E nisi udhën e artit në vitin 1943, si amatore dhe punëtore tipografe, duke luajtur në komedi dhe pjesë skenike, si Liza dhe Sula. Në vitin 1945, u aktivizua me grupin teatral të qytetit të Tiranës, si dhe në emisionin Ora gazmore e “Radio Tiranës”.
Krahas pjesëmarrjes si aktore, ajo ishte asaj kohe edhe një sportiste e dalluar, rekordmene për 10 vjet rresht në sporte të tilla, si: Hedhja e diskut, e gjyles, e shtizës, si dhe kampione në pingpong, atletikë, volejboll. Regjisori Pandi Stillu* zbuloi prirjet e saj në fushën e humorit dhe pas kryerjes së shkollës për aktore 1947-1949 pranë Teatrit Popullor*, M. Çobani u pranua si aktore profesioniste në këtë teatër. Interpretoi në role kryesisht komike, si nëna te komedia Motori e Kolë Jakovës*, Hajria te komedia Prefekti e Besim Levonjës*, apo dramën Rrënjë të thella, komeditë Revizori, Fejesa, Vajza nga fshati etj. Roli më i suksesshëm gjatë kësaj kohe ishte ai në dramën Kopshti i jargavanëve. Në vitin 1955, u emërua si aktore në Estradën e Shtetit, ku interpretoi, gjatë 40 viteve karrierë, mbi 1.000 role nga më të ndryshmet në zhanret e shkurtra të humorit dhe satirës.
Loja e saj është e çlirët, spontane, me sens të spikatur humoristik, plot nur komik; ndihen në rolet e saj spikamat dhe ngjyrimet karakterizuese ndaj tipave shqiptarë. Ka interpretuar me sukses figurat e grave llafazane, kinse të zonjat, por mendjemëdha e të paafta (monologët Nikoqirja, Më mirë syri se nami), apo të nënave e grave krenare, disi naive e të pashkolluara, por të dashura e të sinqerta, shpesh të nënshtruara nga diktati i burrave, apo të nëpërkëmbura (monologët Nënë Sanija, Zgjimi, Brigadjeria, skeçet Pastruesja e zyrave, Në stalla etj.).
Është nga aktoret komike që interpretonte mjeshtërisht monologun, me tema të larmishme, ku ajo krijonte një galeri figurash, në po atë ndërkohe veprimi, nëpërmjet diferencimit të planeve të aktrimit, të mimikës, të imitimit, të gjestit të figurshëm, të plastikës, të zërit etj. Në shfaqje të tilla, si: Autobiografia, Transferimi, Kolltuku magjik, Në kërkim të ngjarjeve, Lulet e jetës, Varianti humoristik i “Otellos”, Fejesa etj., sikundër në një mori pjesësh të shkurtra humoristike a komedi me një akt, M. Çobani krijoi një mozaik figurash të moshave, gjinive, kategorive shoqërore e profesioneve të ndryshme. Vërtetësia e gjestit, ojnat karakterizuese, plastika e zhdërvjellët, temperamenti i gjallë, kalimi i natyrshëm në plane e figura të kundërta brenda njësisë së kohës në komeditë me një akt, në skeçe, në monologë etj., janë nga tiparet që vihen re lehtësisht në lojën e saj, çka flet për një profil aktorial të formësuar. Ka interpretuar edhe një sërë rolesh në teatrin e kukullave, si dhe disa të tillë në kinematografi. Mban titullin “Artiste e Popullit”.