Koment/
Pamjet apokaliptike të zjarreve që përpijnë malet prej 10 ditësh kanë krijuar një situatë katastrofike në qarkun e Vlorës si gjatë natës edhe gjatë ditës. Flakët e zjarrit shfaqen kokëforta teksa nuk ‘dorëzojnë’ pyjet dhe kullotat, ndërsa vatra të reja shfaqen herë pas herë duke e rënduar situatën.
Të vetmit përballë kësaj situate në të gjithë qarkun, janë vetëm 30 zjarrëfikës të Vlorës, 8 të zonave të mbrojtura dhe ushtarë e Poshnjës. Për shkak të terrenit të thyer dhe malor marrja nën kontroll e zjarrit bëhet mision i pamundur përkundrejt edhe mjeteve që disponojë zjarrfikësit teksa shfaqen në këto pamje vetëm me lopata dhe shkurre për të shuar flakët gjigante.
Prej disa ditësh situata është denoncuar në Report TV, i cili ka ndjekur të gjitha situatat e krijuara me zjarret në Vlorë dhe Sarandë. Për çdo komunikim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile gazetarët janë përballur me mbylljen e telefonave dhe refuzimin e përgjigjes për situatën. I telefonuar nga studioja e Report Tv ministri Niko Peleshi nuk është përgjigjur, po ashtu edhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.
Teksa Ministria e Mbrojtjes, disponon 4 helikopterë për situatat e zjarreve dhe emergjencave prej tyre, dy helikopterë Cougar e dy E16, asnjë prej tyre nuk është ngritur për t’i ardhur në ndihmë punonjësve në male që përballë zjarrit kanë vetëm shkurre dhe degë pemësh.
Por duket se situata e krijuar i ka gjetur të pa përgatitur institucionet, kur vetë Prefekti i Vlorës Flamur Mamaj deklaron prej disa ditësh në Report TV se helikopterët janë në remont dhe jashtë funksioni.
‘Ne kapacitete e shuarjes së zjarrit nga ajri i kemi shumë të kufizuara, kjo dhe për shkak të zjarrit të njëkohësishëm që ka rënë në gjithë territorin e Republikës. Shuarja e zjarrit ka zgjatur rreth 10 ditë në malin e Tomorit dhe të gjitha kapacitete të aviacionit janë në remont dhe kjo situatë na ndodhi ne për keq.’-tha Mamaj.
Ndërkohë, Lorela Lazaj drejtoreshë e Zonave të Mbrojtura ka folur në lidhje me situatën dhe vështirësitë që paraqiten në këtë mal dhe që kërkohet ndërhyrje urgjente nga ajri. Lazaj tha se situata është shumë kritike dhe se deri tani janë djegur pothuajse 500 ha sipërfaqe.
Mjafton të shohim këto pamje që prej ditësh përcjell Report TV për të kuptuar sesa i madh është dëmi dhe sa i madh kanosja nga flakët e zjarrit. /Shqipraja.com/