Pasi u zyrtarizua kthimi i saj në Kosovë, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Vlora Çitaku, e ka konfirmuar edhe vetë se do të largohet nga misioni i saj në Washington, raporton Gazeta Express.
Çitaku ka thënë se ka qenë nder i jetës së saj që ta prezantojë Kosovën në SHBA.
Ajo më tej ka falënderuar institucionet e Kosovës për besimin që i kanë dhënë gjatë këtyre viteve.
Çitaku ka shkruar se ishte po ashtu privilegj i saj që ishte në gjendje të prezantojë historitë mahnitëse të rinisë kosovare në Washington DC dhe në të gjithë SHBA.
Gazeta Express raportoi se presidenti Hashim Thaçi e ka nënshkruar dekretin për largimin e Çitakut nga misioni i saj si ambasadore në SHBA.
Çitaku i kishte shkruar presidentit Thaçi një letër zyrtare në shtator të këtij viti, duke i kërkuar që ta lirojë nga detyra e ambasadores.