
Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e të riut, Renis Dobra, trupi i të cilit u gjet mbrëmjen e 8 korrikut 2025, pranë liqenit të Shkopetit.
Lidhur me ngjarjen janë shoqëruar nga Policia e Matit katër persona si të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit. Të shoqëruarit janë persona të cilët kanë pasur më herët konflikte me viktimën.
Të dyshuarit janë shprehur, për uniformat blu, se problemet me viktimën i kishin mbyllur më parë, e nuk kanë dijeni për rrethanat e krimit të rëndë.
Ata u morën në pyetje për disa orë, e më pas u liruan nga policia. Pavarësisht kësaj, të dyshuarit do të vijojnë të mbahen në mbikëqyrjen e policisë.
Siç raporton media, ekspertiza paraprake ka nxjerrë se 23-vjeçari Dobra ka humbur jetën nga mbytja me litar.
Policia i ka përqendruar hetimet në disa pista, si konfliktet që i riu mund të ketë pasur brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Sipas burimeve, në Gjermani, nga ku ishte deportuar pak muaj më herët, ka qenë i përfshirë si shpërndarës i lëndëve narkotike. Këtë aktivitet dyshohet se po e vijonte së fundmi edhe në qytetin e tij. Në atdhe, 23-vjeçari nuk ka precedent të theksuar kriminal, por ka qenë i dyshuar dhe ishte hetuar për vjedhje banesash.
Komente