Dalin detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Kërvasari të Malishevës, ku një 25-vjeçare humbi jetën dhe burri i saj mbeti i plagosur rëndë në rrethana të paqarta.
Sipas informacioneve të reja të raportuara nga mediat në Kosovë, dyshohet se bashkëshorti ka qëlluar me armë gruan e tij, e cila mbeti e plagosur rëndë dhe humbi më pas jetën rrugës për në spital.
Policia e Kosovës konfirmoi se efektivët mbërritën menjëherë në vendngjarje pas njoftimit për të shtëna me armë zjarri. Në një dhomë gjumi, ata gjetën çiftin të plagosur.
“Njëra prej personave të pranuar, femër, 25-vjeçare, ka arritur në Qendrën Emergjente pa shenja jete, me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftimin e QKUK-së. Gruaja, e cila sipas raportimeve ishte shtatzënë, nuk mundi të mbijetojë.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj, 26 vjeç, u dërgua në spital me plagë armë zjarri dhe vijon të marrë trajtim mjekësor. Gjendja e tij shëndetësore raportohet si shumë e rëndë.
Në vendngjarje, Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Për rastin është angazhuar edhe prokurori i shtetit, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin.
Rasti po hetohet si “vrasje e rëndë”, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë informacion në vijim, në varësi të zhvillimit të hetimeve.
Ngjarja ka tronditur komunitetin në Malishevë, ndërsa detajet e plota mbi atë që ka ndodhur brenda banesës mbeten ende nën hetim.
Komente