Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje politikanëve shqiptarë që të mos dalin në publik me deklarata për nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet, nëse procesi i integrimit evropian ngec.
“Ne i lusim, po e përsëris, i lusim që me deklarata të tilla të mos dalin në publik, sepse ato nuk u kontribuojnë marrëdhënieve të mira në rajon dhe as krijimit të atmosferës së bashkëpunimit dhe punës së përbashkët në projekte të rëndësishme”, tha Vuçiq në konferencën për gazetarë në Qeverinë e Serbisë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme
Reagimi i Thaçit pasoi deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.
/Veritas.com.al/