Gjenerali Wesley Clark, i cili ka udhëhequr sulmet e NATO-s gjatë vitit 1999, ishte në Kosovë këtë javë me rastin e festimeve për 20-vjetorin e ndërhyrjes së forcave të NATO-s.

Në një intervistë të dhënë për mediat kosovare, Clark ka akuzuar Rusinë se po përdor Ballkanin si një pikë strategjike për të krijuar kriza. Duke hedhur dyshime  pikërisht mbi ndërtimin e një baze humanitare ruse në Nish, një territor të rrethuar nga shtetet dhe bazat e NATO-s.

Në intervistë, Clark, fillimisht, ka vënë theksin mbi rëndësinë e prezencës së trupave të NATO’s në Kosovë, gjë që ka ndikuar në paqe dhe stabilitet në Ballkan.

Ai, në vijim, ka paralajmëruar për rrezikun që vjen nga Rusia, duke theksuar: “Putini gjithmonë lë hapur një mundësi. Një krizë që pritet të ndodh. Në çdo moment që i duhet një krizë, ai mund të fillojë një të tillë, ndoshta këtu, ndoshta në Ukrainë apo në shtetet Baltike”.

Clark iu referua bazës humanitare ruse në qytetin serb të Nishit si një ndërtim për tu përdorur pikërisht për këtë qëllim. Ai deklaroi: “Ajo është një qendër humanitare që ka mundësinë të përdoret për gjithçka”.

Bëjmë më dije se qendra ruso-serbe është krijuar në vitin 2012 si një stacion i emergjencës dhe është nën kontrollin e ministrisë së mbrojtjes civile ruse.

Veritas.com.al/