Frrok Çupi/

Julian Assange, para dhjetë vjetësh u shfaq në sytë tanë si një “i çuditshëm”, si “i vështirë!”, si i pabesueshëm. Po, të mos jesh “i vështirë”?, atëherë ç’vlerë ke?!  Që nga teoritë Sokratike mbi botën, ka shumë njerëz që e lexojnë postulatin dhe prapë nuk e afrojnë me veten. “Janë diku larg nesh ata ‘të vështirët’, ose ‘të rrezikshmit’, ose ‘të krisurit’!- mendojnë.

Sepse nuk ka ardhur koha- prandaj mendojnë kështu. Tani pse po presin që të ndryshojë?!

Bota qenka si “amësia” që e ndjen se kur duhet të shkojë në maternitet “për të lindur”. Duket si apokaliptike, por në konfigurimin e jetës së Julian Assange ka një paralele me “lindjen” në një dhomë “larg syve” të maternitetit. Një nga ambasadat më të parëndësishme, e një shteti nga më të vegjlit e botës, ka strehuar Julian Assange që duket se është aty “për të lindur një botë tjetër”.

Bota qenka me një refleks të lartë: Kur i vjen për të lindur, e ndjen dhe krijon atë që duhet. Botën nuk e ndryshuekan qeveritë, as armët, as kërcënimet. Botën e kanë ndryshuar disa njerëz “të vështirë”.

Një herë, ose një herë shumë e fuqishme, ka qenë ajo kur botën e ndryshuan pesë djem adoleshentë të “Beatles” nga Liverpuli. Lufta e Dytë kishte bërë atë që bëri, vrau miliona, la pa strehë miliona, dhe iu dha shpresë milionave të mbetur. Por bota kuptoi se Lufta nuk i kishte ndryshuar gjë në fiziologjinë e saj. Ndryshim bënë “Beatles”- një grup i vogël muzikor që për pak kohë u bënë “më të njohur se Jezusi”, siç shkruante John Lenon. Ata u krijuan në vitin 1960, por deri në vitin 1963 u shfaqen “Jezus”. Sepse bota e donte këtë gjë.

Siç e deshi bota të shkonte në maternitetin e një ambasade ekuadoriane në Mbretërinë e Bashkuar, nga ku erdhën “Betles”. Vendndodhja është krejt një rastësi. Por nuk është rastësi që bota erdhi rrotull  vetes në përpjekjen për të ndryshuar. Bota kishte pasur ‘rock ‘n’ roll’ para Beatles, që e ndihmuan rruzullin të vinte te McCartney e John Lenon me shokë. Mes tyre ka një diferencë dhjetëvjeçare. Dhe mes tyre e “Blue Jeans” të epokës së re në një fshat të Amerikës, prapë vite të tjerë.

Atëherë pse kaq shumë vite për të ardhur nga Beatles te Assange?

Sepse duhej të ndihej nevoja jetike për të ndryshuar. Duhej t’i vinte botës në majë të hundës, sa ç’i erdhi. Dhjetë vjet ka gazetari Julian Assange që vuan, përflitet, gjuhet për t’u vrarë, izolohet sa që “më mungon dielli”- tha në intervistën e djeshme me John Pilger. Bota kërkon ndryshim- kjo është fuqia. Assange i tregoi Botës se ç’krime fshihen në duart e pushtetit, edhe në Amerikë ku bazohet bota. Tani e ka në dorë njeriu, nëse do të ndryshojë ose jo? Nuk besoj të jetë kështu: Njeriu tani nuk është “ai njeriu” dje, por ky njeriu që ka një tjetër vetëdije për qeverinë, për shtetin, për vjedhjen, për korrupsionin, për vrasjet dhe për luftën.

Në dhjetë vjet, Assange ka  përhapur dhjetë milionë emaile ku ka informacion për sekretet e shtetit, për sekretet e mafies, për abuzimin me pushtetin, për pasurinë gjithë-njerëzore që e kanë futur pak njerëz në duar, për intrigat, për vrasjet në masë të njerëzve veç për t’i hapur rrugë gradimit të zyrtarëve në poste të lartë. Tani doli informacioni pse u sajua ISIS, pse u çel “Pranvera arabe”, pse u shua Persia, pse nuk ndëshkohet krimi qeveritar në botë, pse Amerika nuk na del zot para qeverive të tmerrshme; pse lejohet kultivimi shtetëror i drogës në Shqipëri, pse na kanë ardhur muxhahedinët që do të na krijojnë o luftë o shtrembërim gjenetik…

Kësaj here u deshën pesëdhjetë e gjashtë vjet që nga ndryshimi i fundit nga Beatles. Jo pesëdhjetë e gjashtë, por dyzet e gjashtë, sepse “bota” e piketoi maternitetin e “Londrës” dhjetë vjet më parë. Atëherë u pikas Julian Assange. Bota e ditka mirë se kur “mund të shkojë në maternitet”. Po të kishte shkuar dhjetë vjet më parë, atëherë mund të kishte dështuar. Duheshin më shumë prova. Për shembull, duhej prova se si u shëmtuan gazetarët e Amerikës, në radhë për në “mensën” e qeverisë, ku u deformua informacioni. Këta deri dje ishin “gentlements” para refugjatit Assange; sot janë… çfarë?! Kështu i sjell bota pamjet për të dëshmuar se “O ndryshim, o fundi!”. Le të fitojë edhe Hillary Clinton, po sa para bën; ndryshimi ka ndodhur. Tani po ndryshon Amerika, domethënë bota.

Bota nuk paska ndryshuar për mirë asnjëherë prej qeverive, as prej armëve, as prej intrigave. Ka ndryshuar nga “Blue Jeans”, nga “rock ‘n’ roll”, nga “Beatles” dhe “WikiLeaks” i Assange.

/Veritas.com.al/