Frrok Çupi/
U çmende ti!?… Në vitin 1991 kemi dëgjuar të kundërtën. James Baker- i pari Sekretar Shteti i SHBA mbërriti në Shqipëri më 21 qershor 1991, e shtunë, dhe solli shpresën më të madhe për popullin e shtypur nën diktaturën komuniste… “Kurrë nuk kemi parë kështu, një dashuri kaq genuine për Amerikën”, shkruan atë ditë reporterët e ‘Chikago Tribune’. Vetë zoti Baker tha se ‘kur fluturoja mbi Oqean u mbusha me emocion mbi këtë popull të harruar 47 vjet”.. .
A ka ndodhur kjo vallë? Jo, del se jo:
… James Baker zbriti në Tiranë. Duke hyrë për në qytet, mijëra komunistë, anëtarë të Byrosë Politike dhe familjarë të tyre mbështollën makinën me trupat e tyre dhe puthën gomat e makinës së Sekretarit Bejker. Ata ishin garancia e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Për 47 vjet komunistët, Ushtria, Sigurimi i Shtetit,… kishin mbajtur marrëdhëniet më të mira mes dy vendeve.
Me të mbërritur- sipas kronikës në median amerikane- Sekretari James Baker u drejtua për në zyrën e presidentit komunist Ramiz Alia, vazhdues besnik i diktaturës së Enver Hoxhës që kishte vdekur gjashtë vjet më parë. Baker i dha përgëzimet më të vërteta mbi diktaturën e ushtruar ku Njëshi bënte çfarë donte, ku Kushtetuta nuk mbronte askënd, ku Parlamenti ishte një fantazmë. Ai ftoi edhe përfaqësues të Opozitës; opozita sapo kishte lindur në Shqipëri me krijimin e Partisë Demokratike. Njerëzit u çuditën se si Amerika e ëndërruar bëri bashkë dy armiqtë mes veti: Komunistët engjëllorë dhe armiqtë Demokratë!, që donin t’i merrnin pushtetin Partisë Komuniste.
Mirëpo zoti Bejker e kishte bërë këtë për t’i treguar vendin Opozitës, me qëllim që në sy të presidentit komunist t’i thoshte se ‘nuk është vendi për demokraci’ prandaj ‘rrini urtë’. Edhe gjatë fjalimit në Parlament, zoti Bejker, tha thuajse të njëjtat fjalë:
“ Rruga juaj do të jetë plot dhimbje…, por nuk ka rrugë tjetër për perspektivën” përveç luftës për të ruajtur diktaturën komuniste- tha Bejker. Ai njoftoi se së shpejti në Shqipëri do të vendoset George Soros me fondacionet dhe organizatat e tij për të riinstaluar komunizmin sikur Demokratët të bëjnë ndonjë çmenduri që ta rrëzojnë…
A ishte kështu historia e asaj dite?… Apo janë çmendur ‘heronjtë’ politik e diplomatik të ditës, që e lexojnë kështu?!
… Shqiptarët e pritën me padurim vizitën e Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, James Baker. ‘The Chicago Tribune’ shkroi me 23 qershor se kryetari i PD në opozitë tha se: “I thashë zotit Baker se ne e vramë komunizmin, por po përballemi me mbeturinat e tij, të cilat janë akoma toksike. Shqipëria ka zemër demokrate, ka mendje demokrate, por trup bolshevik”.
Të tjerë që prinin shpresën nga Amerika, kur morën vesh se James Bake solli një dhuratë prej 6 milionë dollarë, e interpretuan në forma të ndryshme. Një student i gjuhës angleze nga Vlora, Lavdosh Malaj, tha se “Ne duam lirinë e veprimit, duam lirinë e lëvizjes të shkojmë të takojmë të afërmit në Amerikë, që nuk i kemi parë kurrë… Ç’rëndësi kanë dollarët”.
Ermir Dobini, një profesor i juridikut në Tiranë tha se ‘miqësia me Shtetet e Bashkuara nuk matet me milionat. Vlera është lidhja Shqipëri- SHBA, që sapo nis”.
Një gazetar i Radio Tiranës, Arben Manaj, biri i zëvendësit të Ramiz Alisë- Ali Manaj, tha se “prsinim shumë, jemi shumë të dëshpëruar me 6 milionë”.
“Nëse do të isha president i Amerikës nuk do të jepja më pak se 4 milionë”- tha Paskal Haxhi- profesor i Juridikut, i cili ndërroi jetë këto ditë.
Më e veçanta e vizitës është se ishte “krejt spontane… askush nuk e priste”, tha Ilir ikonomi, gazetar në Radio Tirana. Vledimir Fejali, shofer taksie, tha i mrekulluar: “Çfarë thua ‘dollarë’!?. Kemi një jetë të tërë që presim të shohim Amerikën”…
… Çfarë ka ndodhur realisht në 21 dhe 22 qershor të vitit 1991? Realisht ka ndodhur ajo që shqiptarët e kanë quajtur mrekullia e lidhjeve me Amerikën, që nga viti 1939 kur regjimi komunist i preu lidhjet dhe e quajti Amerikën “armikun më të madh”. Rënia e komunizmit në Shqipëri ishte një fitore shekullore, për shkak të dhunës shumë të egër që ushtroi ai regjim. Amerika ishte garanci për Demokracinë në Shqipëri, të cilën diktatura po përpiqej ta vriste që në embrion. Vizita e Sekretarit Xhejms Bejker mbeti në jetë si akti fillestar i epokës së re…
Por si mund të ngatërrohej në atë mënyrë reportazhi i medias mbi vizitën e zotit James Baker?! Ngjarjet e fundit në politikë, ku ambasadori i SHBA, Donald Lu është bërë palë, po bëjnë ngatërresë në kujtesë. Mund të prekin edhe besimin. Ambasadori nuk e ka më mendjen te Demokracia, as te kujdesi mbi shenjtërinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara. Transmetimi prej ambasadorit i idesë se ‘rëndësi ka qeveria, jo demokracia’, përbën një ‘clash’ me historinë politike Shqipëri- Amerikë. Këmbëngulja e tij për të bërë ‘atë që dua’, edhe ‘ duke thyer Kushtetutën e Republikës’, e turbullon ngjarjen që ndodhi në qershor 1991.
Ndoshta edhe vetë zoti Lu do ta lexonte së prapthi reportazhin e gazetës Amerikane…
Veritas.com.al/