Artisti Yll Xhaferi, i rritur në një shoqëri në tranzicion, duke përjetuar personalisht luftën e fundit në Kosovë, ka gjetur strehë në botën e tij imagjinare përmes lodrave dhe artit. Një tendencë kjo, për të ikur nga realiteti, por pa sukses, pasi që pikërisht ambienti dhe ngjarjet rrethuese kanë lënë gjurmë në punën e tij. Punime që veçohen për ngjyra të ndezura, materiale të vrazhda dhe elemente abstrakte.

Alberina Haxhijaj/ KultPlus/

“Gjatë periudhës së tranzicionit, sidomos pas luftës kam tentuar ti vizatoj lodrat, mirëpo pa e ditë se çfarë jam duke bërë, thjeshtë ka qenë një tentim me ikë prej situatës edhe ngjarjeve. Mirëpo, ironikisht krejt ato lodrat që unë i kam bo imagjinare kanë përfunduar me armë”, tregoi ai për KultPlus, në hapje të ekspozitës së tij ‘Toy Story’, në hapësirën ekspozuese ‘Motrat’.

Ai në këtë ekspozitë i është rikthyer përsëri këtyre kujtimeve, duke i sjellë ato në një formë më abstrakte. Duke u përballur njëkohësisht me pyetjen se a duhet të jetë politike apo të distancohet nga politika.

“Po shpërlahemi prej politikës, edhe po tentoj më i sjellë qato kujtime, qato linjat e njëjta, abstrakte ose naive si fëmijë, mirëpo në një kontekst tjetër, që ti kthej në kontekst kulturor me i përfaqësu si një identiteti të ri kulturor dhe me i sjellë me ngjyra vivide, të ndezura, që vizualisht me qenë të ëmbla por që i referohen një memorie të errët”, tregoi ai.

Punimet e tij të risjella më me ngrohtësi, me ngjyra më të ndezura, ku dallohen edhe ngjyrat e flamurit shtetëror të Kosovës, shfaqin një preokupim tjetër të artistit Yll Xhaferi. Ai është në kërkim të një identiteti. “Në mungesë të identitetit kulturor, unë tentoj ta ribëjë një identitet edhe pse është kaotik, abstrakt”, thekson ai duke e konsideruar këtë ekspozitë edhe një lloj proteste.

“Artistët kanë nevojë me pas kontakte me jashtë, mirëpo, kuptohen rrethanat në vendin tonë. Prandaj është e rëndësishme që prej këtij vendi me reflektu çkado që kemi. Kjo është një lloj protestë edhe sociale. Unë si artist, me artin tim dua të plasoj në një skenë botërore. Me qenë pjesë në një narracion të artit botëror, mirëpo me kontekst i cili është komplet lokal”, sqaron ai.

Në ekspozitën‘Toy Story’, u ekspozuan gjashtë piktura me ngjyra akril, sprej edhe letra, materiale këto me të cilat artisti i ka përdorur që i vogël, si dhe një instalacion.

“Ideja e instalacionit me tulla, ka qenë spontane. Unë i kam përdorur tullat dhe armaturat si materiale të vrazhda sepse si i vogël kam luajtur me to. Familja ime si shumica e shqiptarëve e ka renovu shtëpinë pas luftës për shkak të dëmtimeve. Unë gjatë kësaj kohë kam qenë fëmijë edhe i kam ndihmuar babit. Në një formë tullat kanë qenë një ‘Lego’, pra materialet e vrazhda kanë qenë për mua lodra”, u shpreh ai për instalacion i cili ishte pjesë e ekspozitës së tij të tretë personale.

Në anë tjetër për menaxherin e hapësirë ekspozuese ‘Motrat’, Ëngjëll Berisha, promovimi i të rinjve është shumë i rëndësishëm, pasi që puna e tyre është ajo që më së shumti ka nevojë që të ekspozohet.

“Punime janë ekspozuar ashtu që hapësira të jep pamjen e një labirinthi, vërehet që është vështirë me u dallu punimet. Ajo që po ndodh është se ne po tentojmë me e ri-produktu, atë që po ndodh nëpër qytet. Si kjo rruga ku gjendemi ne, që është e mbushur prej urbanes, edhe është një labirint. Po ashtu punimi përballë dritares, i cili shihet më së miri nga jashtë, të jep ndjesinë se ambienti jashtë po e imiton atë që po ndodhë brenda”, u shpreh ai. Ekspozita e Yll Xhaferi “Toy Story” do të qëndrojë e hapur në hapësirën ekspozuese ‘Motrat’ deri më 30 Mars nga ora 8:00 deri në 18:00.

Veritas.com.al/