Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim me anë të një deklarate foli mbi situatën e zjarreve në Shqipëri.

Kim është shprehur e kënaqur që planifikimi i mëparshëm i emergjencës midis dy vendeve po ndihmon me këto përpjekje, veçanërisht dhurimet e pajisjeve të zjarrfikësve nga Komanda Evropiane e SHBA-së.

“Në emër të popullit të SHBA-së dua të shpreh trishtimin tim të thellë për dëmin e shkaktuar nga zjarret në Shqipëri. Mendimet tona shkojnë për të gjithë shqiptarët gjatë kësaj kohe të vështirë, veçanërisht me ata jetët e të cilëve janë prekur nga shkatërrimi. Ne i jemi mirënjohës personelit ushtarak dhe zjarrfikësve për aktet e tyre heroike për të luftuar zjarret dhe ndihmuar në parandalimin e humbjeve të mëtejshme të jetëve dhe pronës”, ka thënë diplomatja amerikane.

Ajo ka bërë të ditur se sot në rajonin e Vlorës ka takuar ekipin amerikan të ekspertëve nga Byroja për Ndihmë Humanitare e USAID, të cilët erdhën në Shqipëri për të ndihmuar me përpjekjet e koordinimit dhe përgjigjes.

“Unë jam mirënjohëse për përgjigjen e tyre të shpejtë ndaj thirrjes për ndihmë. Ata tashmë kanë filluar të trajtojnë sfidat, duke punuar së bashku me partnerët tanë shqiptarë. Këto përpjekje të përbashkëta dhe bashkëpunimi midis vendeve tona është ajo çka aleatët bëjnë për njëri -tjetrin në kohë nevoje. Këto janë çastet kur miqtë dhe aleatët qëndrojnë së bashku për të përballuar këto sfida të vështira. Unë jam gjithashtu shumë e kënaqur që planifikimi i mëparshëm i emergjencës midis vendeve tona po ndihmon me këto përpjekje, veçanërisht dhurimet e pajisjeve të zjarrfikësve nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në 2019. Pajisjet e zjarrfikësve, të tilla si kovat “Bambi” të përdorura nga helikopterët, tani po përdoren për të shpëtuar jetë. Më lejoni ta them sërish, populli amerikan është në krahun tuaj – dhe do të jetë gjithmonë në krahun tuaj – gjatë kohëve të vështira. Faleminderit”, thuhet në deklaratë.

  VERITAS.COM.AL