Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe masazhin e fortë se në Shqipëri apo SHBA nuk do të ketë strehë të sigurt për kriminelët që përpiqen t’i shpëtojnë drejtësisë.
“Është nder i madh për mua që të nënshkruajmë këtë traktat, mes SHBA dhe Shqipërisë, që është dëshmia e fundit e partneritet mes dy vendeve. Ky traktat u nënshkrua 87 vite më parë, në 1 mars 1933. Kjo ishte një kohë kur Shqipëria ishte Mbretëri, dhe jo Republikë. Ky traktat mundëson një kornizë moderne që i mundëson SHBA dhe Shqipërisë që të luftojnë krimin dhe dëshmon natyrën e marrëdhënieve tona të forta në fushën e sigurisë. I japim fund pandëshkueshmërisë dhe nuk do të ketë asnjë strehë të sigurt për personat që duan t’i shmangen drejtësisë në Shqipëri apo SHBA. Sa më efikase të jetë Shqipëria në ndjekjen penale të krimit ndërkombëtar, aq më e gatshme do të jetë në anëtarësimin drejt Bashkimit Evropian. Mbështesim Shqipërinë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Ne po punojmë gjithashtu me BKH në çdo hap të zhvillimit të saj, duke ndihmuar për zgjedhjen e më të mirëve përmes procesit të drejtë të punësimit. SPAK dhe BKH janë prioritet për SHBA-të. Suksesi i SPAK nuk është vetëm ç’pret SHBA por edhe që shqiptarët duan, kanë nevojë dhe meritojnë”, u shpreh ambasadorja Yuri Kim.
Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar sot marrëveshjen e re të ekstradimit mes dy vendeve. Kjo marrëveshje vjen pas asaj të 87 viteve më parë dhe zëvendëson traktatin e vitit 1933. Marrëveshja është firmosur nga ambasadorja Yuri Kim dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Ministrja Etilda Gjonaj tha në fjalën e saj se kjo marrëveshje shënon një hap përpara sa i përket luftës ndaj krimit të organizuar.
“Kjo marrëveshje shënon një hap përpara sa i përket luftës kundër krimit. Për të mos lënë asnjë shteg në ndjekjen penale të autorëve përgjegjës për kryerjen e veprave penale në të dyja vendet. Askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur zbatimit të ligjit në SHBA dhe Shqipëri. Kjo është provë e mbështetjes së pakursyer të mikut dhe aleatit tonë të përbashkët SHBA. Mbështetja teknike e SHBA është shprehur që në fillimet e hartimit të reformës në drejtësi. Jemi ende të ndërgjegjshëm se ka ende shumë për të bërë. Pengesat e hasura s’duhet të zbehin rezultatet e rëndësishme të arritura nga realizimi i reformës në drejtësi”, u shpreh Gjonaj.
VERITAS.COM.AL