Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka vizituar këto ditë disa qytete në Veriun e Shqipërisë.

Ambasada amerikane ka ndarë disa foto nga takimet e saj.

“Ambasadorja e SHBA Yuri Kim vizitoi këtë javë shtatë bashki në veri – Klos, Mat, Mirditë, Shkodër, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz – si pjesë e udhëtimeve të saj për t’u takuar me shqiptarë nga çdo cep i vendit.

Ambasadorja pati mundësinë të njihej me njerëz nga shumë sfera të jetës, nga udhëheqës të komunitetit si Dom Gjergj Meta, te mësues, nxënës dhe të rinj që po mësojnë anglisht përmes nismave të mbështetura nga ambasada dhe po punojnë për të përmirësuar komunitetet e tyre. Të rinjtë dhe pronarët e bizneseve ndanë traditat e pasura kulturore të rajonit. Ata ndanë gjithashtu shqetësimet e tyre si dhe shpresat për të ardhmen.

Ambasadorja Kim i bëri një nderim të veçantë Musine Kokalarit dhe Marie Tucit, si dhe të tjerëve që i rezistuan komunizmit në emër të lirisë dhe dinjitetit. Ajo vizitoi edhe kishën e Shën Mërisë, ku kujdestari Pashuk Deja i rrëfeu për të kaluarën e saj plot histori.

Në Fushë Arrëz, Ambasadorja u takua me një vullnetar të Korpusit të Paqes që jeton atje për të dëgjuar për punën që ai po bën me komunitetin lokal”, thuhet në postimin e Ambasadës.