Dritan Zagani, në një intervistë për median italiane “Meridianews”, ka folur për “çështjen Tahiri” dhe për vendimin që sipas tij, do të dalë nga Parlamenti shqiptar të mërkurën. Teksa është pyetur për kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Tahirit, ish zyrtari i lartë i Policisë shqiptare ka deklaruar se Kuvendi nuk do ta votojë një gjë të tillë.
“Parlamenti shqiptar do të votojë kundër, pasi Tahiri është vetëm një hallkë e një zinxhiri të gjatë që nuk mund të prishet, pasi me të mund të rrëzohet dhe qeveria shqiptare”.
Habilajt dhe trafiku i drogës Shqipëri-Itali
Ish-kreu i Antidrogës së Fierit është shprehur se italianët i kanë bërë dhuratën më të bukur në botë me zbulimin e përgjimeve.
“Italia më ka bërë dhuratën më të bukur në botë”.
Dritan Zagani, i cili aktualisht ndodhet në Zvicër ku ka fituar azil politik, ka akuzuar autoritetet shqiptare.
“Jam larguar nga Shqipëria e mbi 4 vjet jam nën akuzë pa u bërë kurrë një seancë gjyqësore kundër meje”.
Dritan Zagani tregon sesi zbuloi Habilajt që trafikonin drogë dhe armë drejt Italisë.
“Në vitin 2014 po hetoja një grup trafikantësh të lidhur me kushërinjtë Habilaj. Një grup shumë i fuqishëm që trafikonte kokainë dhe armë. Gjithashtu kisha përgatitur një informacion, por pastaj më futën në burg. Gjatë hetimit unë pashë edhe “Audi”-in e famshëm që më pas mësova se ishte i ministrit Saimir Tahiri. Vura re se ishte përdorur për të bërë udhëtime të dyshimta, por ankesat e mia nuk u dëgjuan”, tha ai.
Sipas medieve italiane, Shqipëria mbetet kanali i privilegjuar i trafikut të marihuanës në Sicili. Ndërsa Zagani tregon sesi trafikohej droga nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
“Deri më 2014, kisha shumë informacion mbi trafikun e drogës me kamion por dhe përmes detit. Gjatë kësaj periudhe u transferova, dhe nga shërbimet sekrete informohesha se droga trafikohej dhe me avionë të vegjël turizmi. 200-300 kg marihuanë në çdo udhëtim me avion mund të transportohej vetëm nëse kishe mbrojtje në nivel të lartë”.