SHKODËR- Shkarkohen nga detyra drejtori i Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshaj dhe Shefi i Komisariatit, Nik Nikollaj. Lajmi u konfirmua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në një konferencë për mediat. Ai theksoi se shkak i këtij vendimi janë bërë ndërtimet pa leje në Theth dhe zaptimi i hapësirave publike.

“Dua të jem shumë i qartë. Pavarësisht se Policia e Shkodrës ka bërë detyrën e vet duke referuar në prokurori çështjen e atij kompleksi të tërë ndërtimi pa leje mu në mes të një zone të mbrojtur, kjo as nuk ia heq përgjegjësinë Drejtorisë së Qarkut të Shkodrës për ndërtimet pa leje në Theth, që fatkeqësisht doli se nuk ishin një e dy dhe as nuk mund të mbetet përgjegjësi e përveçme e një shefi stacioni, e një inspektori zone apo e një specialisti krimesh.

Jo, kjo nuk do të ndodhë as në këtë rast dhe në asnjë rast të ngjashëm nëse do të ketë.

Prandaj kam vendosur të shkarkoj nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe bashkë me të edhe Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër.

Nëse shefi i komisariatit nuk do të dijë jo se sa veprime pa leje mbi territorin janë bërë gjatë 24 orëve të fundit, por deri edhe se sa karrige lokalesh jashtë apo çadra plazhi të lejuara ka në territorin e mbuluar prej strukturës së tij, atëherë ai nuk do të rrijë më në atë detyrë.

Por ky është një mesazh i qartë edhe për të gjithë Drejtorët Vendorë të Policisë në qarqe që do të mbajnë përgjegjësi direkte nëse symbylljen apo padijen mbi territorin të vartësve të tyre, nuk e konstatojnë ata vetë përpara se ta konstatoj unë apo përpara se sa ta ketë konstatuar i gjithë komuniteti!

I ftoj edhe njëherë qytetarët që çdo rast abuzimi, neglizhence apo sjelljeje të papërshtatshme nga punonjësit e Policisë ta denoncojnë menjëherë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.” u shpreh Proda.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *