50-vjeçari, Pëllumb Meta u konfliktua me djalin e tij, Hysenin përpara se ai ta vriste.

Kështu thuhet në dosjen e plotë hetimore që disponon Tv Klan.

Ky detaj ka dalë gjatë deklarimeve të vajzës së viktimës, 19-vjeçares, Hygerta Meta, por që është pranuar dhe nga vetë autori, i cili ndër të tjera shton se debatet dhe konfliktet me të atin ishin të shumta.

Në dosje del dhe mënyra se si fëmijët mes të cilëve dhe djali i vogël, Amarildo tentuan të fshehin ngjarjen.

“Pasi e vrau Hyseni ka dalë nga banesa duke e lënë kufomën aty. E kam mbështjellë kufomën me plastmas të zi dhe e kam lënë në divan. Në mbrëmje dy vëllezërit janë marrë me hapjen e gropës dhe fshehjen e kufomës, si dhe me armën dhe gëzhojat. Të nesërmen kam parë që tek kasollja ishte lëvizur dheu dhe kam mësuar se aty ishte varrosur kufoma. Vendit përsipër i kam hedhur disa pllaka betoni dhe kashtë që mos dukej vendi i gërmuar nëse vinte për kontroll policia. Kemi biseduar me njëri-tjetrin që nëse do të zbuloheshin nga policia unë do merrja autorësinë e ngjarjes. Pas kësaj mami ka pastruar dhomën si dhe divanin ku ishte shtrirë babai, dhe divanin e kemi ngjitur në katin e dytë”, mësohet të jetë shprehur ajo.

Mes veprimeve të kryera nga policia, ka qenë dhe marrja në pyetje e familjes së djalit që Hygerta pretendonte se nxitej nga i ati i saj për tu fejuar.

Ata kanë rrëfyer para policisë se e dëshironin një krushqi të tillë, por Pëllumb Meta ja kishte bërë të qartë se vajza do vazhdonte shkollën dhe s’kishte plane për t’u fejuar.

3 fëmijët e 50-vjeçarit pritet të njihen të hënën me masën e sigurisë nga Gjykata e Durrësit.