Kundër vendimit të presidentit Ilir Meta për të ‘çdekretuar’ datën e zgjedhjeve, është rreshtuar edhe Zef Brozi i cili mban titullin e ish-kryetarit të Gjykatës së Kasacionit në Shqipëri gjatë pushtetit t PD.

Në një reagim në Facebook, Brozi shkruan se askush, madje as presidenti nuk gëzon të drejtën për anuluar zgjedhjet.

“Uroj që shqiptarët më 30 Qershor 2019, pavarësisht nga bindjet politike e përkatësitë partiake, të ushtrojnë në paqe e qetësi të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin lokal.

Askush nuk ka të drejtë dhe nuk duhet të lejohet tua mohojë dhe grabisë zgjedhësve këtë të drejtë kushtetuese.

Kurrë më partia dhe partitë mbi Kushtetutën e ligjin, por Kushtetuta dhe ligji mbi partitë, Presidentin, Qeverinë, politikanët e këdo tjetër. Vetëm ateherë Shqipëria mund të bëhet anëtare e denjë e familjes së Bashkimit Europian”, shkruan Brozi.

VERITAS.COM.AL/