Gazetari shkodran Senad Nikshiqi ka sjellë në vëmendje një fakt interesant në 95 vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit.
Pa bërë asnjë koment, gazetari publikon vetë rrëfimin e At Zef Pllumit për ata që e ndaluan në shprehjen e mendimeve të veta, sidomos pas vitit ’90. “na e vodhën partinë, shkruan Pllumi, e me të, mbaruene edhe këshillat e mija për politikën”.
Sot kryetari i PD Lulzim Basha i ka dedikuar një status të gjatë At Zef Pllumit në këtë 95 vjetor të lindjes. Por në fakt, duhet të shohim se çfarë ka deklaruar At Zef Pllumi, e çfarë ka deklaruar Lulzim Basha.
At Zef Pllumi:
“Rustem Gjata, qi ishte kenë gjykatës dikur e që në atë kohë ishte kryetar i gjykatës kushtetuese, po na i thotë plakut të shkretë: ‘Ndigio këtu, more djalë; s’lojtëm nga mendtë, që t’ua lëshojmë pushtetin të burgosurve politikë. Prandaj mos u mundo kot. Kjo parti nuk do të miratohet kurrë!’. Ashtu tha e ashtu ndodhi. U dhashë mendimin me formue nji parti të re, e cila të përfshinte njerëz pa dallim fejet, me emnin BASHKIMI FETAR në Shqipni ose ALEANCA FETARE. Në të vërtetë kje hajni e elementave të partisë demokratike. Kështu na e vodhën edhe partinë. E me të, mbaruene edhe këshillat e mija për politikën”.
Lulzim Basha sot ne 95 vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit:
“Duke marrë në sy çmimin e gjakut e të martirizimit, ai u mbijetoi 25 viteve të burgut komunist dhe doli më 1990-n, për t’i udhëhequr shqiptarët në rrugën e kujtesës, dijes, moralit e ringjalljes. Qëndresa e At Zef Pllumit në diktaturë ishte madhështore. Por puna dhe aktiviteti i At Zef Pllumit në liri, pas ’90, ishte frymëzues dhe i pashoq. Është pikërisht kjo mendësi e marrëzive, e luftës së klasave ndaj punëtorit, ndaj të ndershmit dhe ndaj të drejtit, që po ringjallet sot më shumë se kurrë dhe po rrënon të gjitha arritjet e 30 viteve tranzicion. Ky regjim që dekoron torturuesin e Padër Zefit, nuk e quan për gjë të nxjerrë nga zyrat shtetërore edhe të fundit përfaqësues të shtresës së të përndjekurve politikë, të inkurajojë mësymjen drejt pushtetit të bijve të etërve xhelatë si dhe të vjedhë vullnetin e shqiptarëve, në mënyrë që të vrasë rotacionin dhe demokracinë”.
VERITAS.COM.AL/