Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur këtë të mërkurë për zbatimin e projektit pilot për procesin e votimit dhe numërimit elektronik të votave në tre bashki të vendit: Elbasan, Kamëz dhe Vorë.

Ky vendim vjen dy ditë pasi Qeveria shqiptare alokoi një fond prej 2 miliardë lekësh për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, në mënyrë që KQZ , të përballojë shpenzimet për proces elektronik.

Sipas një vendimi të datës 27 janar 2023, i firmosur nga zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, ndahet në dy zëra alokimi i fondeve për KQZ-në.

I pari, është prej 1 miliard e 993 milionë e 610 mijë e 933 lekë, i cili do të shkojë në zërin “shpenzime korrekte” të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.

I dyti, është një kapital prej 606 milionë e 389 mijë e 67 lekësh, i cili shkon në zërin “shpenzime kapitale” të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.

Efekti financiar i parashikuar, do të jetë prej 1.8 miliardë lekësh nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për përballimin e kostos së zgjedhjeve, i miratuar për vitin 2023.

Pjesa tjetër prej 800 milionësh, do të merret nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, miratuar për vitin 2023.

Në tetor, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, njoftoi se data e dekretuar për mbajtjen e zgjedhjeve vendore të vitit 2023 do të ishte 14 maj.

Partitë politike si edhe e gjithë shoqëria shqiptare, duhet të angazhohen për të shfaqur pikërisht përkushtimin dhe bashkëpunimin institucional, përpara mbajtjes së votimeve.

Një thirrje ndërkaq, ka shkuar për zyrën e Komisionerit zgjedhor, e cila duhet të përshpjetojë punën dhe të adresojë të gjitha çështjet dhe rekomandimet e dala nga raporti i OSBE/ODIHR-it, në mënyrë të përshpejtuar, për të pasur një proces sa më të rregullt.

Rivendosja e normalitetit politik në pushtetin vendor është një domosdoshmëri sipas kreut të shtetit, duke risjellë në kujtesë faktin se zgjedhjet e fundit vendore, janë zhvilluar me pjesëmarrëse vetëm Partinë Socialiste dhe pa opozitën.

14 maji, ka qenë edhe afati i fundit kushtetues për mbajtjen e procesit zgjedhor.

Një konsultim i gjerë me palët politike, është mbajtur nga Begaj në javën e parë të tetorit, për të marrë edhe dakordësinë e çdo kahu mbi periudhën kur duhet të mbahen votimet.

Ashtu si e deklaruar edhe më parë nga kampet politike, 14 maji ka qenë një datë e preferuar prej të gjithëve, pasi lejon më shumë kohë për përgatitjen politike dhe në terren.