Partia Socialiste ka zyrtarisht një kandidat për zgjedhjet e 4 gushtit që do të mbahen në Bashkinë e Himarës.

Vangjel Tavo, i cili mban prej pak muajsh detyrën e Prefektit të qarkut Vlorë , është votuar nga kryesia e PS si kandidat për Himarën.

“Vangjel Tavo vjen si një figurë e njohur politike, njohës i asaj zone, i asaj krahine. Garat elektorale e kanë përgatitur atë që të jetë përfaqësues i atij komuniteti. 4 gushti është shumë afër. Do të kemi një garë të qetë elektorale”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi.

Kujtojmë se zgjedhjeve në Himarë iu hap rruga më shumë se 1 vit pas arrestimit të kryebashiakut të zgjedhur më 14 Maj, Fredi Beleri.

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të lënë në fuqi vendimin për dënimin me 2 vite burg të Belerit, KQZ zhvilloi një seancë ky mandati i tij u shpall i pavlefshëm dhe me vakancën e krijuar Presidenti Bajram Begaj shpalli 4 gushtin si datë për zgjedhjet.