SHQIPËRI- Këtë të diel, 9 nëntor, mbi 334 mijë qytetarë shqiptarë në pesë bashki të vendit do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj.
Procesi zgjedhor zhvillohet në Mat, Cërrik, Berat, Vlorë dhe Tepelenë, si pasojë e vakancave të krijuara në drejtimin e bashkive përkatëse.
Këto zgjedhje të pjesshme lokale erdhën si pasojë e largimit të kryebashkiakëve, dy si ministra në qeveri, dy të tjerë si deputetë në parlament dhe një dorëheqje e Ermal Dredhes në Vlorë.
ABC News sjell zhvillimet minutë pas minute për procesin zgjedhor:
Ora 10:31 Inteligjenca Artificiale në zgjedhje/ Celibashi tregon procedurën: Ja si do funksionojë sistemi
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, shpjegoi detaje se si do aplikohet inteligjenca artificiale, në zgjedhjet e pjesshme vendore, në Bashkinë e Tepelenës.
“Në çdo tavolinë numërimi kemi të instaluar kamera, të cilat numërojnë të gjithë procesin e numërimit të fletëve të votimit. Fletët vendosen mbi tavolinë, filmohen, siç është bërë dhe në zgjedhjet e shkuara”, tha ai.
Drejtuesi politik i PS për Bashkinë e Beratit, Ervin Demo tha se qytetarët e kanë shumë të qartë se kë do të votojnë dhe së kush është zgjidhja.
Ai shtoi se drejtuesi i ri i bashkisë do të çojë përpara të gjitha projektet, teksa shtoi se Partia Socialiste ka marrë angazhimin maksimal në të pesta bashkitë e vendit ku po zhvillohen zgjedhje të parakohshme lokale.
Ora 10:27 KQZ publikon shifrat: Deri në 10:00 pjesëmarrja në 5 bashkitë, 5.09%
Deri në orë 10:00, kanë votuar deri më tani, 5.09 % e zgjedhësve në 5 bashki. Në shifrat e publikuara nga KQZ, rezulton se pjesëmarrja më e lartë shënohet në bashkinë e Matit.
Kështu në Bashkinë e Matit, nga 28 qendra votimit të raportuara nga 47 në total kanë votuar deri më tani 2,311 nga 18,373 zgjedhës në listën e QV-ve të raportuara, ose 12.58 %.

Në studion e ABC News, analisti Artur Nura u shpreh se këto zgjedhje do të kishin vëmendje më të madhe, madje edhe ndërkombëtare nëse procesi do të mbahej edhe në Tiranë.
“Qëllimi i PS ishte që të ishte në këto gara edhe Tirana, ka problematika që duhet të zgjidhen. Vëmendja do ishte shumë më e madhe si nga pikëpamja qytetare por edhe ndërkombëtare, do të ishte edhe një test për këta që janë në gjumin letargjik dhe nuk po zgjohen për interesat e qytetarëve.” Tha ai, ndërsa komentoi edhe afatet e fushatës zgjedhore për këto proces zgjedhor.
“Tregon specifizitetin e këtyre zgjedhjeve, janë zgjedhje të shpejta me 9 ditë kohë, cfarë mund të bësh për një qytet të madh si Vlora përshembull. Do i jepnin mundësi qytetarëve për të dialoguer me qytetarët, për të dëgjuar shqetësimet e tyre, këto gjëra munguan. Nga e majta disi u komunikua, kurse nga e djathta duket se kjo gjë mungoi. si PL edhe PD i kanë liderët në proces penal kjo demotivon partitë por edhe mbështetësit e tyre, dhe kjo është diferenca mes palëve që përcakton edhe rezultatin e zgjedhjeve.” -u shpreh analisti.
Për analistin e Nura, një tërheqje e Berishës do të ishte strategji e mirë për PD.
“Përgjegjësia e Berishës për të bërë dy hapa pas, do ishte shenjë e një strategjie të re. Nëse PD apo PL do duan të kthehen në pushtet, me këtë qasje që thotë Berisha se do jem këtu sa të më japë Zoti, do garantonte vetëm pozitën e tij. Kam vënë re, që brenda PD këtë gjë që po them e kanë të ndarë edhe drejtues të saj.” u shpreh Nura./
Ora 9:59:Zgjedhjet në Tepelenë, voton kandidati i Partisë Socialiste
Kandidati i Partisë Socialiste, Gramos Sako ka ushtruar të drejtën për të votuar.
Ai apeloi tek qytetarët që të dalin në votime dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë.
“Sapo votova në Nivicë. U bëj thirrje banorëve të dalim masivisht në votime dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë”, tha Gramos Sako.
Ora 9:58: “Asgjë e re nga kampi i zgjedhjeve”, Nura: Rezultati dihet, opozita e painteresuar
Për analistin pranë ABC News, Artur Nura këto zgjedhje të pjesshme lokale nuk do të kenë asnjë suprizë sa i përket rezultati.
“Njëri nga kandidatët foli qartë do konfirmojmë rezultatin. Nuk do kemi asgjë të re nga kapmi i zgjedhjeve, fushata ishte e limituar, vijnë në kohë të ngjeshur.
Pala tjetër duket se është e dorëzuar plotazi. Opozita në këtë rast është e papërgatitur dhe duket e painteresuar. Është në fakt mungesë përgjegjësie, sepse këto zgjedhje lidhen drejtpërdrejt me interesat e qytetarëve.
Kur ti nuk i respekton këto si mund të të respektojë qytetari ty. Ndaj besoj se nuk do të kemi asnjë të re nga kampi i zgjedhjeve.” -tha Nura ndërsa komentoi edhe thirrjet e kreut të PD, Sali Berisha për protesta.
“Berisha ka përmendur protestat po si mund të vijnë në protesta qytetarët, ndaj mendoj se do jenë protesta të dobëta. Edhe koha me shi nuk është e favorshme. Pjesëmarrja është e ulët, edhe qytetarët nuk kanë ndonjë kuriozitet të madh sepse e dinë kush do të fitojë.” tha a
Ora 9:56: Zgjedhjet në Vlorë/Mesazhi i 90-vjeçarit: Kam votuar përherë, shteti funksionon me votë
Ismail Mahilaj është një 90-vjeçar nga qyteti i Vlorës, i cili duke sfiduar moshën dhe plakjen nuk ngurron të ushtrojë të drejtën e tij për të votuar.
90-vjeçari shprehet se nuk ka munguar në asnjë palë zgjedhje, ka votuar përherë.
“Shteti funksionon me votë”, thotë ai, teksa u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Vlorës që të votojnë.
Kandidati i “Shqipëria Bëhet” në Cërrik, Eligert Hima teksa ushtroi të drejtën e votës, ftoi bashkëqytetarët e tij të dalin në votime.
“Kam një mesazh për të gjithë banorët e qytetit të Cërrikut që të dalin të gjithë të votojnë sepse vota është i vetmi mjet që mund të vërë këtë bashki në punë. I ftoj që të votojnë masivisht”, tha Eligert Hima.
Në Cërrik garon Florenc Doka (PS), Eligert Hima (“Shqipëria Bëhet”), Amarildo Hoxha (i pavarur, mbështetur nga opozita).
Ora 09:35: Voton kandidati i PS në Berat: Ftoj qytetarët t’i bashkohen këtij procesi
Kandidati i Partisë Socialiste në Berat Ervin Ceca teksa ushtroi të drejtën e votës, ftoi bashkëqytetarët e tij të dalin në votime.
“Ftoj qytetarët e Beratit t’i bashkohen këtij procesi dhe të shprehin vullneti e tyre. Unë jam i bindur që qytetarët e Beratit do bëjnë zgjedhjen e duhur”, tha Ervin Ceca.
Ora 09:28: Zgjedhje në Tepelenë/ Procesi vazhdon pa probleme, 12 mijë qytetarë më të drejtë vote
Qendrat e votimit janë hapur dhe procesi i votimit po vazhdon pa problem. Ndodhen 21 qendra votimi dhe tre në rrethe.
Deri tani numri i votuesve është i ulët, kjo për shkak edhe të motit të keq. Në Tepelenë kanë të drejtë vote 12 mijë persona.
Tepelena shkon në zgjedhje pasi kryetari që e ka drejtuar bashkinë që nga viti 2011, socialisti Tërmet Peçi mori mandatin e deputetit. Gara për zgjedhjet e pjesshme në Tepelenë me kandidatit të PS Gramos Sako dhe kandidatit të pavarur por të mbështetur nga PD, Gabriel Guma
Ora 09:15: Zgjedhjet në Mat/ Voton kandidati i PS: E diela është dita e vendimit të qytetarëve
Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Matit, Altin Bojni ka ushtruar të drejtën e votës. Në një prononcim për mediat, Bojni ka ftuar qytetarët të dalin në votime dhe të ushtrojnë këtë të drejtë. Ai theksoi se e diela i takon qytetarëve për të zgjedhur.
Ora 9:11: Procesi i votimit nis pa probleme/ Në Berat, 82 mijë qytetarë me të drejtë vote
Edhe qytetarët e Beratit u janë drejtuar qendrave të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë. Në qytetin e Beratit janë 82 mijë qytetarë me të drejtë vote. Procesi i votimit ka nisur normalisht, ndërkohë që në të gjitha qendrat e votimit qytetarët po votojnë.
Nga ora 7:30 deri në orën 8:30 ka pasur një numër të ulësh pjesëmarrësh. Ndërkohë pas orës 8:30 ka pasur një numër më të lartë.
Gara për zgjedhjet e pjesshme në Berat bëhet mes kandidatit të PS Ervin Ceca dhe Pavllo Shkarpa, i cili është një kandidat i pavarur dhe i mbështetur nga opozita.
Ora 08:10: VIDEO/ Zgjedhjet e pjesshme në Cërrik, nis procesi i votimit
Ka nisur nisur procesi i votimit për zgjedhjet e pjesshme lokale në Bashkinë e Cërrikut. Gazetarja e ABC News, Kasandra Pali raporton se përjashtim bën vetëm qendra e votimit nr. 25/45, e cila ndodhet në një nga zonat periferike të Cërrikut, ku është raportuar një problem teknik me pajisjen e identifikimit biometrik (PEI).
Burime nga KZAZ nr.47 Cërrik konfirmojnë se stafi teknik ndodhet aktualisht në qendrën e votimit dhe po punohet për rregullimin e pajisjes në mënyrë që procesi të vijojë pa vonesa të mëtejshme.
0ra 07:30: Zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki/ KQZ tregon afatin: Procesi i votimit përmbyllet në orën 18:00
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaron se procesi i votimit nis në orën 07:00, ndërsa mbyllja e tij është parashikuar ora 18:00.Kryekomisioneri ka apeluar për të gjithë qytetarët e këtyre bashkive, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke respektuar rregullat e procesit.
07:20: Zgjedhjet e pjesshme lokale/ Rama thirrje qytetarëve: Votoni!
Kryeministri i vendit, Edi Rama u ka bërë thirrje banorëve të Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës, që të marrin pjesë në votim për zgjedhjen e kryebashkiakëve të rinj.
Ora 07:00- Nis orari zyrtar i votimit në pesë bashkitë e vendit
Bashkitë dhe kandidatët
Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 13 kandidatë. Në tre bashki, Mat, Cërrik dhe Vlorë, zgjedhësit do të kenë mundësi të zgjedhin mes tre kandidatëve.
Vlorë: Brunilda Mersini (PS), Dionis Sota (i pavarur, mbështetur nga opozita), Gjergj Nika (i pavarur – kandidatura u pranua nga Kolegji Zgjedhor pas refuzimit fillestar nga KQZ).
Cërrik: Florenc Doka (PS), Eligert Hima (“Shqipëria Bëhet”), Amarildo Hoxha (i pavarur, mbështetur nga opozita).
Mat: Altin Bojni (PS), Suzana Pasha (e pavarur), Eduart Brahilika (i pavarur, mbështetur nga opozita).
Berat: Ervin Ceca (PS), Pavllo Shkarpa (i pavarur, mbështetur nga opozita).
Tepelenë: Gramos Sako (PS), Gabriel Guma (i pavarur, mbështetur nga PD).
/abcnews.al

Komente