Nga Martin Leka

Shtatë ditë nga 11 Maji, gjithnjë e më tepër po bëhet i qartë rezultati i zgjedhjeve, pavarësisht dëshirave tona.

Projeksioni, jo vetëm i sondazheve publike, i ka përcaktuar pa asnjë ekuivok fituesit dhe humbësit. Dhe ata dihen.

Edhe një javë do vazhdojmë me rutinën e përditëshme: 200 euro minimum jetik, rroga minimale 500 euro, rroga mesatare 1250 euro, kartën e konsumatorit, taksat zero kaq e aq muaj… Rrena madhështore!

Nga ana tjetër afërsisht të tilla premtime. Plus Shqipëria në Bashkimin Evropian. Mos qoftë rrenë kjo e fundit…

Një tjetër veprimtare që mbështet ish burrin, tregonte se i ka të sigurta votat që do dhe kërkon për të. Llogaria e saj është shumë më keq se shumëzimi 7 X 7 bëjnë 42. Sepse zonja fliste me statistika: vetëm në Tiranë ka 120 mijë votues skraparlinj e 400 mijë dibranë. Tani llogariteni vetë përmasën e rrenës dhe se sa votues duhet të ketë Shqipëria, 10, 15 apo 20 milion banorë(?!), nëse vetëm në Tirane nga dy rrethe periferike kemi 520 mijë votues…

Ndërsa turet e vizitat e liderëve apo kandidatëve për deputetë nëpër bizneset fasone janë manuali më i shëmtuar politik për një teatër grotesk.

E lëmë teatrin e vazhdojmë me folklorin. Edi Rama e hapi fushatën elektorale në sheshin “Skënderbej” ku qartazi shihej personalizimi me emrin e tij që në sloganin final. Pamë gjithashtu këngë e instrumenta folklorikë. Menjëherë PD e Sali Berishës e anatemoi PS dhe Edi Ramën për folklorizëm. Mirëpo nuk zgjati shumë dhe “plasi në Kuçovë”. Sali Berisha mblodhi të vetët në miting atje dhe shihej i mallëngjyer me këngën burimore që i kushtohej atij vetë dhe LaCivita-s: -O shkrepi dielli/ Shkrepi drita/ Seç na vjen LaCivita/ O doktor, doktor Berisha/ Ngriji lart ata dy gishta… Ndotje akustike dhe e vetë tallavasë.

Mund të vazhdonim me pafund shembuj të ngjashëm stigmash e gafa që qarkullojnë pafund rrjeteve sociale e jo vetëm. Jo vetëm të liderëve politikë, por edhe të enturazhit që i ndjek nga pas.

Më të fundit ishin varietetë orale të dhunës, lëshuar nga një deputet intelektual e diplomat me thirrje kanibaleske që askush nuk i merr seriozisht, përveç ndonjë “trimi” që i rri pas prapanicës “madhështorit” dhe që i duket vetja sikur e ha të gjallë… mishin.

Përtej këtyre, fushata ka qenë e qetë krahasimisht me të mëparshmet, me shpresë se s’do ta prishim surin e keq edhe këto 7 ditë të mbetura.

Ajo që reflektohet e dominon në këto zgjedhje është transformimi i politikës. Nga politika si art kolektiv, është shndrruar në art individual. Më saktë e pa stërhollime, partitë janë kryetarët. I dominojnë, pa përjashtim. Të vjetra e të reja. Partitë tashmë nuk njihen më me emra, njihen me kryetarët. Janë partia e Kryetarit. Të gjitha. Të vjetra e të reja. Partitë kanë humbur esencën e tyre, demokracinë e brendshme. Partitë duken se kanë humbur qasjen perspective. Nuk mund të themi nëse është koha e shkuar e largët, e shkuar e afërt apo e tanishme, por kjo gjendje duket e pashëndetëshme për demokracinë. Apo më keq, nuk e dimë ç’lloj regjimi do të lindë nga një demokraci me parti që pjell vetëm kryetarë.

Në këtë peizazh politik, kur një javë përpara zgjedhjeve rezultati dihet, dallojnë qartë dy silueta: një lider i fortë e një problematik. E ndonjëherë edhe në invers. Edi Rama dhe Sali Berisha.

I pari bëhet gati pas një jave të thyejë rekordin e vet. Me arritjet e mosarritjet, me qartësitë dhe turbullirat, me korrupsion të qeverisjes dhe bashkëpunëtorë të afërt në burg, me një politikë të jashtme efektive dhe me një administratë të paaftë e drejtues të saj që institucionet që drejtojnë i kanë si çiflig të tyre, me një ekonomi që statistikisht ka rritje por që paradoksalisht në vendin që qeveris pothuajse asgjë nuk prodhohet veç turistëve, me një hendek që shtohet mes të pasurve e të varfërve, udhëheqësi i djathtë i të majtës do të jetë pas një jave Kryeministri i Shqipërisë për herë të katërt rresht, si asnjëherë më parë.

I dyti bëhet gati të jetë i dyti. Edhe ky do të thyejë rekordin e vet. Të humbjeve. Mund të mbetej me atë pak histori po të dinte të tërhiqej në kohë nga politika. Me një parti që e shkatërroi dhe e përçau vetë, me bashkëpunëtorët më të afërt që i shpalli armiq, me të kaluarën që e ndjek nga pas si hije dhe me të tashmen me të cilën nuk po përshtatet, me drejtimin pa vizion dhe i paaftë të krijojë frymën e ndryshimit, me damkën e “non grata”-s nga SHBA e Britania e Madhe, ai rimori Partinë Demokratikë me dhunë dhe kësaj makine të gatshme siç ishte Partia Demokratike, në vend ti shtonte kuti shpejtësie, i shtoi frenat. I duhet për makiazh dikush nga Amerika dhe gjeti të duhurin, njeriun afër Trump. Por LaCivita i solli vetëm një kapele në këmbim të kushedi se sa qindramijë apo million dollarë. Strategjia e tij rezultoi e pakonstektualizuar me realitetin shqiptar dhe sidomos me realitetin në të cilin ndodhet parti e Sali Berishës.

Nga ana tjetër, partitë e reja duhen vlerësuar më së shumti për kurajon dhe guximin për të garuar, ndoshta do të jenë një farë e hedhur që të mos lënë djerrë tokën politike ku ato po mbillen. Në fund të javës, prognoza: do kemi të vjetrën që nuk ikën dhe të renë që nuk duket…

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *