Nga Zëri i Amerikës/
Në prag të zgjedhjeve të kontenstuara vendore në Shqipëri, për të cilat qeveria njeh si datë 30 qershorin, ndërsa opozita nuk e njeh dhe në kushtet kur presidenti Ilir Meta ka shpallur një datë tjetër, 13 tetorin, një diplomat i lartë amerikan i tha Zërit të Amerikës se pritshmëria e Uashingtonit është që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor dhe më pas mosmarrëveshjet të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.
Zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer bën thirrje për shmangien e dhunës më 30 qershor, duke shtuar se udhëheqësit e partive do të mbahen përgjegjës për dhunën e përkrahësve të tyre.
Ai deklaroi se është një situatë më pak se ideale që zgjedhjet vendore të zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës, por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet në vetvete nuk janë të vlefshme.
”Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Palmer.
Me zotin Palmer bisedoi shefi i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho.
Veritas.com.al/