Komisioni duhet të jetë gati të lejojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030-kështu deklaroi Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi në një konferencë për mediat teksa ndodhej në Ankara.
Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi nga Ankaraja deklaroi se Komisioni duhet të jetë gati të lejojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030, referuar propozimit të bërë nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel në Samitin e Bledit në Slloveni.
“Nga ana jonë, ne kemi punuar pa u lodhur për këtë qëllim, kështu që jam shumë i lumtur që më në fund shoh se shtetet anëtare gjithashtu kanë filluar të lëvizin dhe mobilizohen politikisht dhe të gatshëm të investojnë politikisht për të pasur anëtarë të rinj të BE-së deri në vitin 2030”, tha Varhelyi.
Oliver Varhelyi nuk është zyrtari i parë i lartë i Bashkimit Evropian që mbështet një kornizë kohore më ambicioze për zgjerimin e familjes europiane.
Më herët, edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell mirëpriti një afat për zgjerimin, duke argumentuar se kjo do të “mobilizonte energjinë e Bashkimit Evropian dhe atë të shteteve kandidate”.
Për këtë çështje ka patur edhe një përplasje në distancë, pasi Komisioni Evropian është shprehur se nuk është i përqendruar në afate kohore në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian por për t’i ndihmuar vendet kandidate për të përparuar në këtë proces