Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka treguar se kushtet atmosferike me erë të fortë po vështirësojnë punën e forcave operacioneve në terren në përballje me zjarret.

“Problematike është situata në fshatin Dushkarak në bashkinë Selenicë, ku po ndërhyn nga ajri helikopteri i Forcës Ajrore”, ka ravijëzuar ai.

Sakaq, ministri Peleshi u drejton thirrje banorëve që janë pranë vatrave të zjarrit të evakuohen në rast se kjo u kërkohet nga autoritetet.

Nga toka dhe nga ajri po punohet edhe në fshatin Mal Bardhë, në Kurbin, sipas ministrit.

“Efektivë të FA-së janë angazhuar për shuarjen e flakëve në fshatin Vilzë e Bërdicë të Shkodrës, apo edhe në Lam i madh, Bashkia Mat”, ka thënë ai.

Më herët një banesë është shkrumbuar në Bërdicë të Shkodrës, si pasojë e flakëve.

Po ashtu, disa vatra janë raportuar edhe në Mat, ku forcat zjarrfikëse dhe ato të Ushtrisë e kanë të vështirë t’i vendosin fre flakëve.

Për shkak të erërave të shumta në zonë dhe temperaturave tepër të larta, zjarret po favorizohen dhe ndërhyrja bëhet edhe më e vështirë, përpos terrenit jo të përshtatshëm.

Aktualisht, në Mat, janë organizuar 47 forca, nga të cilët 20 janë pjesë e Ushtrisë shqiptare.

Më shumë resurse njerëzore pritet të mbërrijnë në zonë, teksa edhe vetë banorët janë angazhuar në mbrojtjen e territorit.

Bërdica mbetet ende lagjja më e rrezikuar, për shkak se banesat ndodhen shumë pranë me zjarret.

Një vatër, disi më sporadike, është shfaqur edhe në Velipojë dhe po punohen për neutralizimin e saj.

Lajmi i vetëm i mirë deri tani, është se viktima apo të lënduar në njerëz nuk raportohen.

Puna intensive ndërkaq, vijon prej orësh