Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako në një prononcim për gazetarët nga fshati Dukat i Ri ka thënë se situata në këtë zonë edhe më me rrezik se në vene të tjera, ndërsa theksoi se operacioni i shuarjes së flakëve do të vijojë.
Po ashtu Çako bëri të ditur se ka kërkuar mbështetje edhe nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile Europiane por me sa duket nuk ka marrë një përgjigje për shkak të situatës së rënduar në disa vende të Ballkanit.
“Operacioni ka ditë që ka nisur por sot është bërë i domosdoshëm intensifikimi i forcave të armatosura dhe shtimi i kapaciteteve ajrore që pritet të vazhdojë edhe më tepër. Ne ndodhemi këtu sepse ka një rrezik që është potent, por me shtimin e burimeve njerëzore shpresojmë që ta mbajmë në kontroll. Është një zjarr që ka ditë që ka filluar, por për shkak të terrenit të vështirë ka vazhduar operacioni, por synojmë izolimin e avancimit të zjarrit.
Kemi kontaktuar me qendrën e reagimit të emergjencave civile në Bruksel, kemi kërkuar nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile Europiane mbështetje, por është situatë e rënduar thuajse në të gjithë Ballkanin, Itali, Turqi, Mali i Zi, Greqi, të gjitha vendet janë përfshirë nga temperatura të larta që kanë shkaktuar edhe zjarret. Do të vazhdojmë të punojmë deri në normalizimin e situatës”, tha Çako.