Banorët e një pallati në zonën e Freskut kanë përjetuar tmerrin mëngjesin e sotëm, pasi ngelën të bllokuar nga tymi që shkaktoi një makinë e cila kishte marrë flakë në garazh.
Sipas gazetares Anila Hoxha, e cila ndodhej në vendngjarje, janë djegur dy automjete, një “Range Rover”, e cila ka qenë vatra dhe një makinë tjetër.
Në bazë të informacioneve paraprake, mjeti ka marrë flakë për shkak të një shkëndije elektrike dhe nuk dihet akoma nëse ka qenë e qëllimshme.
Pasi banorët dolën të gjithë jashtë, pallati është mbuluar nga ngjyra e zezë e pluhurit dhe tymit.
Sipas zjarrfikëses nuk ka pasur valvula për të bërë të mundur shpërndarjen e tymit dhe ky ka qenë shkaku i bllokimit të të gjithë pallatit.
Njëri nga zjarrfikësit është kthyer në hero pasi shpëtoi foshnjën 3-muajsh bashkë me nënën, me anë të shkallëve të jashtme, pasi ata mbetën të bllokuar në pallat.
“Është 3 muajsh, kisha frikë më shumë, kishte tym, kisha frikë për fëmijët”, tha nëna e re.
“E ndjemë veten të rrezikuar se nuk ka shkallë emergjence”, tha një tjetër banor i pallatit.
“Hapa dritën e celularit edhe kalova ashtu mes tymit”, u shpreh një banore e pallatit që u mbulua nga tymi.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 07:30, në rrugën “Fadil Deliu” ka rënë zjarr në garazhdin e një pallati. Sherbimet e zjarrëfikses dhe sherbimet e Policisë po bëjnë të mundur evakuimin e banorëve si dhe neutralizimin e zjarrit. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.