Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama ka publikuar një replikë në distancë me një protestues që kundërshton projektin e Zvërnecit, duke vënë theksin te rëndësia e etikës në debatin publik dhe duke dënuar format e dhunshme të protestës.
Kreu i qeverisë ka vlerësuar qëndrimin qytetar të ndjekësit të tij, të cilin e quajti një “protestues atipik” që shpreh mendimin ndryshe pa fyerje apo akuza.
Megjithatë, Rama ka përsëritur se qeveria i ka të gjitha faktet dhe transparencën e nevojshme për projektin, ndërsa ka kritikuar ashpër bllokimin e rrugës së aeroportit dhe format e manipulimit që, sipas tij, dëmtojnë sezonin turistik dhe ekonominë e vendit.
“Replikë në distancë me një protestues.
Në çdo faqe, do të gjeni çfarë më shkruan dhe si i përgjigjem këtij protestuesi atipik, i cili mendon ndryshe nga unë po nuk shan, nuk akuzon, nuk deliron online.
Respekte për etikën
Asnjëherë nuk e kam menduar se protestat duhet t’i pëlqejnë qeverisë. Qeveria nuk pretendon se ka ndjekur procedurat, qeveria i ka të gjitha faktet për këtë dhe transparenca është pikërisht rreshtimi i fakteve. Askush nuk kërkon po ashtu mbyllje të debatit publik, po dhuna online, bullizimi i njerëzve në rrugë, bllokimi i rrugës së aeroportit nuk janë debat, po mbytje e debatit.
Të protestosh është legjitime dhe askush s’e ve në diskutim këtë. Por t’u bësh jehonë shpifjeve, gënjeshtrave, fabrikimeve si ato që tërhoqën vëmendjen e tërë botës që gjeti në Shqipëri shesh për përsheshet e veta politike, ideologjike apo deri edhe fetare, është goditje ndaj vendit padyshim! Dhe të bllokosh deri edhe rrugën e aeroportit është cënim i sezonit turistik dhe ekonomisë. Askush nuk i ka futur të gjithë protestuesit në një thes, po kjo protestë ka brenda mozaikut të saj nga të gjitha dhe “turmën e manipuluar” e thanë vetë protestuesit e zhgënjyer nga ikja pas berihait mbrëmë natën…
Më vjen keq për shqetësimin por kjo është e vërteta, në fund dy përfitues realë do të ketë dhe e di pse? Pikërisht sepse kjo qeveri di të dëgjojë e të nxjerrë mësime, ndërsa Partia Socialiste ka me vete të vërteta të atilla, që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i dinë shumë mirë. Në mbyllje, problemi nuk janë shpjegimet, problemi mbetet kur disa nuk duan t’i dëgjojnë shpjegimet dhe as duan të komunikojnë qetësisht (rasti yt është shumë i rrallë në lumin e harbimit digjital)”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.
Komente