ITALI- Për Italinë, Bashkimi Europian është i paplotë nëse pjesë e saj nuk është Shqipëria, apo vendet e Ballkanit Perëndimor. Një deklaratë e tillë, iu tha në sy kryeministrit Edi Rama nga ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio, gjatë pritjes që kishin organizuar në Këshillin Rajonal të Puglias për 30 vjetorin e eksodit të shqiptarëve drejt Italisë. Di Maio, theksoi se Europa “duhet të fillojë me vrull zgjerimin e saj” e ndërsa vuri në pah marrëdhënien e mirë mes dy vendeve.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama e ka quajtur Italinë fqinje “si engjëllin mbrojtës” të Shqipërisë, sipas së cilit nëse ajo nuk do të kishte qenë pranë saj, atëherë vendi ynë nuk do të ishte ky që është sot. Rama ka vlerësuar ndihmën e Italisë, veçanërisht gjatë tërmetit dhe pandemisë. Në fjalën e tij, Rama tha se Shqipëria nuk është më ajo e para 30 viteve dhe Italia për shqiptarët nuk është më një realitet i parë nga larg në Mediaset apo Rai,  e sot ato nuk janë më dyshuarit e parë në rastin e një krimi.

Një moment i veçantë përtej fjalimeve që kishin një emërues të përbashkët, raportet e fqinjësisë së mirë, Rama u vlerësua me një çmim shumë të veçantë , “Rrënjët e Puglias”. Ky çmim është i veçantë, pasi siç theksoi se guvernatori i Puglias, Michele Emiliano, është hera e parë që i jepet një qytetari që nuk është nga Puglia. Kjo me motivacionin për ndihmën e dhënë për Puglian kur vendi ishte në momentin më të vështirë në luftën me COVID. Shqipëria dërgoi 10 mjekë dhe 20 infermierë, e për guvernatorin kjo nuk do të harrohet lehtë.

Kryeministri Edi Rama ndodhet nga dita e djeshme në Itali, për të rikujtuar një nga momentet që është rrënjosur gjatë në mendjen e çdo shqiptari, por edhe të italianëve. Java e parë e marsit 1991 ka hyrë në memorien e shqiptarëve me një fjalë të vetme: Eksodi. Ajo kujtohet si java e largimit masiv të mijëra bashkëatdhetarëve. Jo vetëm në Durrës, nga ku u nisën dhjetëra anije e motopeshkatore, të tejmbushura me qytetarë të të gjitha moshave, por edhe në anën tjetër të Adriatikut janë gjendur të papërgatitur. Mediat italiane shkruajtën në atë kohë se në portet e Barit, Otrantos dhe Brindizit mbërritën brenda pak ditësh mbi 25 mijë shqiptarë.

VERITAS.COM.AL

https://youtu.be/_ksiF1HIoMw