Kreu i Kadastrës, Artan Lame në një konferencë për shtyp bëri me dije se në regjistrat e Drejtorisë rajonale të Tiranës, janë kryer disa abuzime.

Gjithashtu ai tha se janë bërë abuzime në dekada me Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP).

“Ky proces u krye për të gjithë fshatrat e Tiranës. Regjistrojnë të regjistruara, për fat të keq, vetëm rreth gjysma e pasurive. 31 vite që ka filluar procesi i ndarjes dhe regjistrimit të tokës bujqësore dhe është certifikuar vetëm gjysma e saj”.

Lame shtoi se janë bërë ndërrime faqesh në regjistër.

“U gjetën rreth 100 faqe të dubluara, dhe kjo bëhej me qëllim që e njëjta pasuri të trajtohej për disa qytetarë, të cilët pastaj duhej të shkonin në dyert e gjykatave për të gjetur se cilit i takonte pasuria”.

Gjithashtu drejtori i Kadastrës theksoi se në lidhje me dëmtimin e regjistrave të dëmtuara, përgjegjës është çdo ministër i Drejtësisë, Bujqësisë dhe çdo Kryeministër që ka qenë në detyrë.

Ndër të tjera, ai paralajmëroi dhe ndëshkim për abuzuesit.

“Ky raport do të përfundojë në Prokurori, që nga ana e saj do të nxjerrë persona konkret. Duhet të marrim gjysmën e shqiptarëve t’i bëjmë përgjegjës për pronat, apo gjithë administratat në vend”.

Lame ravijëzoi se mbivendosja e pronave, zgjidhet ose me ligjin e ri, ose me Gjykatë.

“Për fat të keq, shumë qytetarë do jenë të detyruar t’i drejtohen gjykatës, për shkak të mbivendosjes. Nuk duhet të harrojmë që Kadastra tashmë është një mulli i rinovuar, por që për fat të keq bluan grurë të vjetër, sepse i tillë është materiali. Tani po mbjellim grurë të ri, që është digjitalizimi”.

Ai dha lajmin se raporti për Tiranën dhe për Durrësin do t’i dorëzohet Kryeministrisë.

“Kjo po bëhet për dy arsye, e para është që të mund të kryhen hetimet dhe dyta, për të shmangur presionin e banditëve dhe qokaxhinjëve”.