Dy persona janë vënë në pranga gjatë natës në lidhje me aksidentin tragjik të mesditës së djeshme në Gjirokastër, ku humbën jetën 3 persona, një grua dhe dy fëmijë.

Albana Hasani, punonjëse e policisë me gradën Komisare dhe dy fëmijë me inicialet D. D., dhe L. L., ishin viktimat e përplasjes së dy makinave dje në rrugën Gjirokastër-Tepelenë, pranë fshatit Mashkullorë.

Burime nga policia thanë se, janë vënë në pranga dy shoferët e makinave. Ata janë, Hasan Dedaj, 58 vjeç dhe Irfan Hasani, 31 vjeç. Ky i fundit drejtonte makinën tip Nisan me targa greke, ku ndërroi jetë punonjësja e policisë.

Dy të arrestuari akuzohen për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Tre personat që humbën jetën në këtë aksident janë Albana Hasani, punonjëse e policisë, vajza e saj 9-muajshe D. D., dhe L. L., 1 vjeç e gjysmë nga Kosova.

Nga përplasja e mjeteve kanë mbetur edhe shtatë persona të plagosur, prej të cilëve, dy janë në gjendje të rëndë. Pesë nga të plagosurit kanë mbërritur në Tiranë, në Spitalin e Traumës.

Mjekët thonë se tre persona ndodhen në gjendje kome.