“Mashtrime dhe trillime”, i ka cilësuar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzat e ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për mbledhjen e firmave “duke ofruar poste drejtorësh në kabinetin e kryeministrit Edi Rama.

Sipas Bashës, Berisha po përhap lajme të rreme, pasi ai e di që demokratët po konfirmojnë pjesëmarrjen në Kuvendin , e thirrur më 18 dhjetor.

Kryedemokrati ka përsëritur me ngulmim se beteja e Berishës është për interesa personalë dhe jo për demokratët.

“Asnjë trillim dhe mashtrim nuk i’a zgjidh hallin Sali Berishës, sepse beteja e tij është për interesa personale, jo për demokratët”, shkruan ai në median sociale Twitter.

Për Bashën, Kuvendi i thirrur nga ai tregon bashkim dhe jo përçarje e izolim.

Berisha të mërkurën e 1 dhjetorit u rikthye në Tropojë pas shumë kohësh, ku theksoi se prej dy ditësh kryetari i PD-së, Lulzim Basha bashkë me një grup zyrtarësh po përpiqet që të mbledhë firma duke ofruar poste drejtorësh dhe zëvendësministrash në kabinetin e kryeminsitrit Edi Rama.

“Dy ditët e fundit peng kryetari me një grusht vasalësh po përpiqet të mbledhë firma duke ofruar poste drejtorash dhe zëvendësministrash në kabinetin e Edi Ramës”, tha ai.

Ai u shpreh se, PD-ja duhet të shndërrohet në një opozitë të vërtetë, ndërsa shtoi se Basha në këto 8 vite e defaktorizoi Partinë Demokratike.

“Detyra jonë është që këtë narko-shtet ta përmbysim njësoj si përmbytëm diktaturën komuniste”.

Dueli Basha-Berisha

Me foltoret e shumta të mbledhura në mënyrë të njëpasnjëshme, Berisha mblodhi edhe firma, me të cilat ai pretendon të mbledhë Kuvendin Kombëtar më 11 dhjetor. Përkatësisht, sipas tij, janë 4 mijë e 200 firma.


Ish- kryeministri, Sali Berisha dhe kryetari i PD, Lulzim Basha

Nga ana tjetër, Basha, e rezervoi fillimisht gjuhën e tij ndaj Berishës. Por, me shtimin e foltoreve dhe retorikës së ashpër të Berishës, edhe Basha filloi të ndryshonte qëndrim.

Ai nisi akuza të shumta ndaj ish-kryedemokratit. Çasti kulminant sakaq, erdhi kur Basha, me anë të mbledhjes së Kryesisë, shpalli një datë të re të Kuvendit Kombëtar, më 18 dhjetor.

Këtë datë, Basha e quan legjitime.

Por, të dy palët, pretendojnë se kuvendet do të mblidhen.AP/