Pasi i doli hapur kundër, Lulzim Basha ka shkarkuar sot Flamur Nokën nga pozicioni i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë dhe madje ka shkuar më tej duke e paralajmëruar se do ta përjashtojë edhe nga Grupi Parlamentar.

Selia blu nuk po gjen qetësi që pas përjashtimit të Sali Berishës nga Grupi Parlamentar

Arsyeja e këtij vendimi, sipas PD-së është se Noka e ka shndërruar mbledhjen e kryesisë së Grupit Parlamentar në laborator të prodhimit të gënjeshtrave dhe me këtë po baltos kryetarin dhe vetë Partinë Demokratike, duke sajuar gjëra të pathëna. PD thekson se këto shpifje dëmtojnë interesin e PD-së dhe të demokratëve dhe shfokusohet vëmendja e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama.

‘Sot Kryetari i PD Lulzim Basha i ka komunikuar shkarkimin nga funksioni i Nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Flamur Nokës, si dhe e ka paralajmëruar për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar. Arsyeja e këtij vendimi është shndërrimi i mbledhjes së Kryesisë së Grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena. Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve, duke shfokusuar vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama.’- njofton PD.

Sot deputeti i PD-së, Flamur Noka nuk i kurseu akuzat ndaj Lulzim Basha, ku edhe njëherë tha se i ka kërkuar të marrë përgjegjësi pasi partia po shkon në zgrip. Në përfundim të mbledhjes të grupit parlamentar të PD, Noka theksoi se Basha ka bërë të qartë  se për të është më i shtrenjtë fati i ‘karriges’ sesa ai  partisë. Ndërsa u ndal në debatet e mbledhjen e Kryesisë së Grupit mbrëmjen e djeshme, Noka tha se Basha i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur ‘llum’.

Flamur Noka ka qenë ndër të parët deputet në radhët e PD-së i cili ka dalë hapur kundër vendimit të kreut të PD-së për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar. Madje ai është parë që ka qëndruar krah Berishës edhe në takimet ‘Foltorja’ që po zhvillon ky i fundit në çdo qytet të Shqipërisë.

Me ‘Foltoren’ e tij Berisha më shumë se sa të rrëzojë Bashën nga kreu mi PD, në fakt kërkon t’u mbush mendjen demokratëve se ai është gjykuar pa të drejtë me shpalljen e vendimit ‘non grata’ nga DASH. Edhe pse vetë SHBA konfirmon se për Berishën është një dosje e plotë lidhur me faktet se ai ka minuar demokracinë dhe ka bërë korrupsion gjatë kohës që ka qenë në qeveri.