Lulzim Basha ia ka bërë edhe një herë të qartë Sali Berishës se një mbledhje të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike për të shqyrtuar vendimin për përjashtimin e tij nuk do të ketë. Sipas tij Kuvendi i PD nuk mund të shqyrtojë vendimet e Qeverisë amerikane.

Për të gjithë ata që këto 8 vite ia kanë vënë në dyshim aftësitë e tij si lider por herë e kanë futur në ‘sqetullën’ e Berishës dhe herë në atë të Ramës, Lulzim Basha e ka një përgjigje. Sipas tij ai nuk është as kukull e ish-liderit të Partisë Demokratike dhe nuk është dhe nuk do të jetë kurrë peng i kundërshtarit të tij politik.

“Për 8 vite me radhë Edi Rama më ka akuzuar për kukull të Sali Berishës. Dje, Sali Berisha më ka akuzuar për peng të Edi Ramës. E para është gënjeshtër, e dyta nuk do të ndodhë kurrë. Të dyja janë dy anë të të njëjtës medalje. Partia Demokratike po ecën përpara, Partia Demokratike do t’i prijë betejës popullore  për ndryshim që vjen vetëm përmes largimit të këtij regjimi dhe kthimit të vendit në shinat e demokracisë të cilat sigurojnë një jetë të mirë për çdo shqiptar. Ky është misioni i Partisë Demokratike, ky është misioni i çdo demokrati, ky është misioni im dhe këtij do t’i qëndroj me përkushtim deri në arritjen e objektivave që nuk janë thjesht partiake, por janë partiake. Sa u përket pretendimeve për referendume dhe kuvende, kuvend të Partisë Demokratike për të marrë nën  shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të patur. Objektivat tona janë përballja me Edi Ramën dhe regjimin e tij dhe e gjithë energjia jonë është e fokusuar këtu. Nuk ka për të patur kuvend të Partisë Demokratike që shqyrton vendimet e qeverisë Amerikane!”, tha Basha në komunikimin me gazetarët.

Në të gjitha daljet e fundit publike kryedemokrati Lulzim Basha e ka bërë të qartë se vendimi për përjashtimin e Sali Berishës nuk ka kthim pas. Basha ka theksuar se sipas tij aleanca dhe partneriteti i PD me SHBA nuk mund të cenohet dhe se është gjithmonë në punë në interes të demokratëve dhe shqiptarëve. Kujtojmë se Sali Berisha ka nisur aksion politik brenda PD kundër dhe kërkon të mbledhe edhe 1500 firma të Kuvendit Kombëtarë për referendum brenda partisë.

Debatet e nxehtaë zhvilluara  në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD kanë treguar edhe një herë ndarjen e madhe të Bashës me disa prej deputetëve të tij që mbështesin hapur Berishën.

Ndërkohë që dje Berisha, duke e cilësuar Bashën si liderin që i ka bërë më shumë dëm një partie se askush tjetër, tha se pabesia dhe mungesa e parimeve morale të Bashës po dëmtojnë PD dhe demokratët. Berisha zhvilloi në Fier ‘Foltoren’ e dytë me simpatizantët, por ndryshe nga Tirana në sallë ishin të pranishëm një grup i vogël qytetarësh.