Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi Kryeministrin Rama se bëri “koka turku” tre zv/drejtorët që shkarkoi dje në Drejtorinë e Doganave. Basha tha se përgjegjësi kryesor për mungesën e të ardhurave në buxhet është Kryeministri. Lideri i opozitës tha se janë 326 milionë Dollarë që mungojnë nga vjedhja në Tatime dhe Dogana brenda një viti.

“Rama dje më në fund pranoi se janë vjedhur qindra milionë Dollarë në dogana. Prapë u mundua që të heqë fajin nga vetja. Qëllimi i tij ishte të bënte shfaqje, të hiqej sikur nuk ka ditur gjë dhe s’ka dorë në batërdinë që bëhet. 326 milionë Dollarë mungojnë nga vjedhja në tatime dhe dogana. Rama dhe banda e tij është 326 milionë Dollarë më e pasur. Ja pse e ka dashur votën tuaj. Tregon me gisht si hajdut punonjësit e vet kur është vet kryekontrabandisti. Situata në dogana shëndoshet vetëm me largimine tij. Ta harrojë se mund të mbulojë me gjethe fiku batërdinë e tij në dogana. Doganat dhe tatimet janë një plagë e hapur në zemër të ekonomisë kombëtar që do të shërohet vetëm me transparencë e drejtësi dhe ne do ta bëjmë këtë”, u shpreh kryetari i PD Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar.