Raportet e kontrollit që tashmë janë bërë publike, kanë zbuluar një rrëmujë totale në bilance dhe një mal detyrimesh të bashkive ndaj financave të shtetit. Vetëm në 12 bashkitë më të mëdha në vend, detyrimet ndaj buxhetit të shtetit  arrijnë 21 miliardë lekë, ose rreth 150 milionë euro. Nga kjo shumë, 16.3 miliardë lekë, ose rreth 78%, i përkasin Tiranës

Nga shumta totale, rreth 5.9 miliardë lekë janë detyrime të prapambetura, ndërsa pjesa tjetër i detyrohet qeverisë qendrore, ose të tjera, si sigurime.

Mbi të gjitha, njësitë e reja janë totalisht të paqarta për asetet që disponojnë dhe nuk kanë inventarë të rregullt.

Raportimi i auditit ka zbuluar se më 31 korrik 2015, detyrimet totale të Bashkisë së Tiranës janë 16,3 miliardë lekë. Ndërsa detyrimet në vonesë të bashkisë raportohet të jenë 3,6 miliardë lekë.

Audituesit pohojnë se, informacioni është shpesh jo i plotë dhe nuk jep detaje mbi pagesat e prapambetura dhe rreziqet që vijnë nga vonesat në shlyerjen e tyre. Për më tepër, nuk ka një ndarje të detyrimeve, të paktën sipas kategorive që përdoren edhe në akordimin e granteve nga qeveria qendrore. (Sipas Monitor)