Astrit Patozi/

(Nga intervista në KAPITAL të VIZION+ TV)

Gazetari: unë thashë që është një fillim i vrullshëm i Partisë BINDJA DEMOKRATIKE, kordinatori i të cilës ju jeni, praktikisht numri 1 i partisë. 27 kandidatë për kryetar bashkie, 50 lista për këshillat bashkiakë. Për disa është një fillim i vrullshëm, për disa të tjerë është një aventurë. Po për Astrit Patozin në fakt çfarë është?

Astrit Patozi: Është finalizimi i një përpjekjeje të gjatë, gati 2 vjeçare të një grupi njerëzish që mendojnë se Shqipëria ka nevojë për një projekt të ri politik, që Shqipëria ka nevojë për një riformatim të sistemit të saj politik i cili sipas nesh është i kalbur, është në grahmat e fundit dhe koha po e provon. Kriza politike sot në Shqipëri, gjendja jashtë e një pjese të opozitës dhe qeveria në istikamin e saj nuk janë gjë tjetër veçse shenjat që ky sistem duhet rrëzuar dhe BINDJA DEMOKRATIKE garon në këto zgjedhje për të shpalosur programin e saj dhe vizionin e saj për Shqipërinë. Por nuk është ky basti jonë, pra ne nuk hyjmë në këto zgjedhje për të fituar por hyjmë në këto zgjedhje për të marrë pjesë, për të bërë diferencën me pjesën tjetër dhe për t´u përballur me qeverinë.

Gazetari: Z. Patozi ju thoni që ky sistem është në grahmat e fundit por shumëkush mund t´ju kujtojë që ju keni qenë pjesë e sistemit, keni qenë numri 2 i PD, figura e dytë pas Sali Berishës. Pra dikush mund t´ju thotë tani u kujtuat ju që ky sistem është i kalbur?

Astrit Patozi: Jo, unë nuk jam kujtuar tani meqë po më drejtoheni në numrin njëjës. Se unë do të doja të flisja për ne, pra për BINDJEN DEMOKRATIKE si një bashkim vullnetesh. Por unë nuk jam kujtuar tani. Unë kam të paktën 6 vite apo më shumë që flas për këtë çështje brenda partisë time por edhe jashtë, pra edhe në publik. Por nuk është problem me mua, unë nuk mund të bëja njëkohësisht edhe opozitën edhe pushtetin kur kisha detyra të rëndësishme në PD, se ne e kishim një opozitë dhe opozitën e kemi pasur luftarake, të fortë, opozita e Edi Ramës në mandatin tonë 2005 – 2013. Kam folur, por edhe sikur të mos kisha folur, edhe sikur sot të kujtohesha për herë të parë, prapëseprapë do isha në të drejtën time. Pse? Çdo politikan dhe çdo njeri ka të drejtën e tij të reflektojë dhe unë them që kam reflektuar shumë herët. Por gjithëkush është në të drejtën e tij të reflektojë edhe tani. Unë do të doja që sot përshembull të reflektonte edhe Lulzim Basha, ish vëllai im i hershëm politik, i cili sot është në një aventurë do thoja të pashpresë.

Gazetari: Ai sot është kryetari i partisë ku ju deri dje ishit numri 2 dhe për këtë parti, për Lulzim Bashën BINDJA DEMOKRATIKE, Astrit Patozi sot për ata nuk është tjetër veçse një fasadë, një patericë e qeverisë për të fshehur mungesën, sipas tyre, e opozitës së vërtetë.

Astrit Patozi: Tani unë nuk e ndaloj dot as Lulzim Bashën dhe as këdo tjetër që të ketë një opinion për BINDJEN DEMOKRATIKE. Janë të lirë që të jenë skeptikë, të jenë mospranues, të jenë refuzues dhe kjo është e drejtë e tyre. Por unë kam një gjë për këdo që sot paragjykon BINDJEN DEMOKRATIKE, unë i them që na lejoni të gabojmë. Pra ne sot kemi vetëm projektin, nuk kemi asnjë aksion politik dhe aksioni jonë i parë politik do të jenë zgjedhjet e 30 Qershorit. Në rast se ne vërtet tregohemi që jemi në krah apo në ndihmë të Edi Ramës dhe rilindjes, shqiptarët do e ndiejnë nuk ka nevojë t´ja tregojë dikush tjetër. Por unë vetëm mund të them një gjë sot. Që në rast se ne konsiderohemi që po ndihmojmë qeverinë sot, unë them që nuk ka ndihmë më të madhe për qeverinë sesa të ikësh nga zgjedhjet dhe t´i lësh mbështetësit e tu dhe shqiptarët në përgjithësi pa asnjë alternativë. Se në rast se nuk do të ishte BINDJA DEMOKRATIKE sot do të kishim 61 bashki të fituara nga PS në tavolinë. Dhe këtë mund t´a bëjë vetëm një force politike e papërgjegjshme sipas nesh. Pra, në rast se ne nuk do ekzistonim, ne që garojmë në 27 bashki, zgjedhja e kryetarëve të bashkisë do ishte si emërim drejtorësh. Kjo gjë është papërgjegjshmëri dhe e papranueshme për ne.

Gazetari: Ky skenar vërtetohet menjëherë në rast se zhvillohen zgjedhjet siç janë dekretuar. Por për PD, për Lulzim Bashën nuk do të ketë zgjedhje. Mendoni ju se nuk do të ketë zgjedhje?

Astrit Patozi: Jo, unë mendoj që zgjedhje do të ketë sepse zgjedhjet i ka dekretuar Presidenti i Republikës dhe në zgjedhje merr pjesë populli. Pra, populli është i ftuar që të zgjedhë. Unë nuk besoj se ka ndonjë forcë që ta ndalojë popullin për t´u shprehur. Ata mendojnë që ka, janë të lirë që ta besojnë ëndrrën e tyre por ne mendojmë që është e pamundur që të ndalohet populli të shprehë vullnetin e tij. Por në rast se do të ndodhë që zgjedhjet do të pengohen, atëherë le të bjerë qeveria. Do të thotë që qeveria është e paaftë për të zhvilluar zgjedhjet, një nga funksionet e veta bazike. Sepse i bie që në rast se zgjedhjet nuk mbahen ose rrëzohen, bie edhe qeveria.

Gazetari: Ky do të ishte sukses i Partisë Demokratike. Por rrëzimi i qeverisë mund të ishte një kosto në kuptimin e konfliktit social.

Astrit Patozi: Sigurisht që ne do ja njohim. Në rast se kjo do të ndodhë ne do ja njohim si sukses Partisë Demokratike dhe unë e deklaroj që tani. Por unë nuk e besoj këtë skenar.

Gazetari: Pra ju do ta quanit si sukses të PD në rast se ata rrëzojnë qeverinë duke bllokuar në mënyrë të dhunshme zhvillimin e zgjedhjeve.

Astrit Patozi: Unë nuk e besoj këtë gjë dhe nuk do e dëshiroja kurrë që të kërkoja të rrëzohej me dhunë një qeveri. Sepse me dhunë i bie që do ta rrëzojnë. Unë jam kundër revolucionit, kam qenë që ditën e parë në vitin 1990 e deri sot që po flasim kundër revolucionit. Për të mos thënë në herët në biografinë e familjes time. Ata që besojnë te revolucioni janë të lirë ta bëjnë edhe ta provojnë, por unë nuk besoj që kjo funksionon.

 

Gazetari: Z.Patozi, për një periudhë shumë të gjatë kohe, për gati dy vjet, e keni mbajtur në një farë mënyre gjuhën kur ka qenë fjala për Sali Berishën, për arsye që edhe mund të kuptohen, keni qenë numri dy, keni qenë në parti për një kohë të gjatë. Fillimisht, besoj se ju të mërziturit e Partisë Demokratike, kur them ju, disa ish figura të Partisë Demokratike, ishit të paqartë nëse Partinë Demokratike, ky është ndoshta një koment i imi, e drejtonte Lulzim Basha apo Berisha në hije. Sot a jeni më të qartë për këtë?

Astrit Patozi: Jo, unë kam qenë gjithmonë i qartë. Unë nuk kam pasur asnjëherë dilema, por unë jam legjitimist si natyrë, pra unë jam politikan që nuk më interesojnë kulisat, nuk më interesojnë takimet e fshehta, nuk më interesojnë ato që thuhen në tavolinë.

Gazetari: Por politika pa ato nuk bëhet.

 

Astrit Patozi: Unë e di këtë gjë, por unë flas vetëm për gjestet dhe aktet publike dhe kur kam vënë targetin tek Lulzim Basha kam patur parasysh njeriun që ka firmosur dhe ka marrë përgjegjësinë për atë gjë që ka bërë. Nuk më intereson se kush e shtyn kush e tërheq dhe kush e shqyen, nuk më intereson.

Gazetari: Ju besoni se listat në vitin 2017 i bëri Basha ku juve dhe disa të tjerëve ju la jashtë?

 

Astrit Patozi: Jo, unë nuk e besoj atë, unë po të them që duke qenë legjitimist unë akuzoj atë që firmos dhe në rast se ai firmos për dikë tjetër atëherë është akoma më shumë problem, është dyfish problem. Sepse është një kukull, i bie të jetë një kukull dhe kjo e mbyll diskutimin. Pra, kam vënë targetin aty ku unë shikoj që është përgjegjësia. Unë nuk pashë që Z. Berisha të ishte në takimin e 17 Majit, aty ishin dy veta, ishte Z. Basha dhe Z. Rama që gatuan atë marrëveshje të shpifur sipas nesh, që prodhoi edhe këtë krizë, për të cilën po flasim, në vijimësi. Pse? Sepse në një politikë perëndimore, në një demokraci të zhvilluar apo në një demokraci normale nuk mund të bësh pazar. Ai ishte një pazar i shpifur, sepse kur me dikë bën pazar mund të bësh edhe luftë pastaj, është fiks si në organizatat mafioze. Pra ti kundërshtarin nuk e ke për pazar, e ke për të garuar drejtpërdrejt në një përballje frontale.

Gazetari: Nuk jeni aspak pra i zhgënjyer Z. Patozi nga Sali Berisha? Nuk keni ju asnjë zhgënjim pas 2 viteve që jeni larguar? Ai aty brenda një figurë kryesore, ai frymëzuesi, ai më luftaraku, ai ideatori i pashpallur i gjithë aksionit politik të PD.

Astrit Patozi: Unë nuk kam asnjë arsye. Për sa kohë Z. Berisha thotë publikisht që unë jam tërhequr nga të gjitha detyrat e mia dhe bëj vetëm rolin e deputetit, që tani as atë se bën, unë nuk kam arsye pse të merrem me Z. Berisha kur ai thotë që këtë gjë e ka bërë Lulzim Basha. Pavarësisht idesë që mund të kem, unë jam i detyruar që të flas për faktin jo për atë që fshihet pas faktit.

Veritas.com.al/