“Kur i hedh një sy rajonit të Adriatikut dhe shikon krahun jugor të kontinentit evropian, është shumë e rëndësishme të ruhet paqja dhe prosperiteti. Për këtë arsye, Shqipëria në Ballkan, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, bëhet një vend me rëndësi kritike”.

Me një shprehje të Tod Wallters, për rëndësinë e Shqipërisë si pikë ndikuese në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, kryeministri Edi Rama, të enjten e 20 janarit, çeli punimet për ndërtimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.

“Vendimi që mori NATO për ta përzgjedhur këtë mjedis, duke e transformuar në një bazë ajrore taktike të aleancës në rajon, konfirmon faktin se Shqipëria e vogël është një vlerë e shtuar në këtë aleancë, e cila bashkon vende që besojnë në disa vlera dhe parime për të cilat ja vlen të luftohet”, theksoi Rama në fjalën e tij.

Së bashku me Ramën i pranishëm ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ambasadroja e SHBA-ve në Shqipëri Yuri Kim, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj.


“Sot shndërrojmë ceremoninë e punimeve. Jemi gati të vendosim gurin e themelit për fillimin e punimeve”, tha Peleshi në fjalën e tij.

Duke falënderuar për mbështetjen ambasadoren Kim, Rama e përmbylli duke thënë se, “ky projekt krijon jo vetëm këtë vlerë të re në të gjithë infrastrukturën tonë të mbrojtjes, por përçon edhe një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar me sa më shumë inteligjencë dhe pragmatizëm pozitën tonë në aspektin gjeografik, politik dhe ushtarak”.

Peleshi theksoi se kjo nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e aleatëve dhe do të forcohet më tej qëndrimi i Shqipërisë me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.

Kryeministri Edi Rama, Ambasadorja e SHBA-ve Yrui Kim, Ministri i Mbrotjjes, Niko Peleshi dhe Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj

Ai shtoi se, “ky projekt mori jetë tre vite më parë kur mësuam zyrtarisht lajmin për këtë projekt. Përzgjedhja e Shqipërisë është një mundësi për të marrë më shumë përgjegjësi. Ky zhvillim vjen në një periudhë të trazuar në kufijtë lindor të aleancës”.

Sipas tij ky projekt do të përmirësojë pistën, rrugët lidhëse dhe ambientet e tjera ndihmuese.

Begaj, i cili nisi fjalën i pari duke hapur dhe këtë ceremoni theksoi se, “kjo dëshmon rëndësinë strategjikë të vendit tonë në rajon”.

1642674225_begaj.jpg

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj

“Baza ajrore taktike e Kuçovës do të shndërrohet në një gjurmë të rëndësishme të NATO-s. Do të ofroj për NATO-n dhe vendet aleate mundësinë e uljes së të gjitha avionëve në çdo kohë pavarësisht kushteve atmosferike”.

Shefi i Shtabit e mbylli fjalën duke thënë se, “ne tregojmë se godasim më fort se ç’kemi peshën”.

Sipari i projektit

Lajmin për ndërtimin e saj e ka dhënë që më 9 dhjetor ministri, ku asokohe njoftoi se ishte firmosur nisja e punimeve për bazën ajrore të Kuçovës.

Peleshi e ka cilësuar këtë si projektin më madhor në fushën e zhvillimit infrastrukturor.

Sipas tij, ky vendim ka sjellë lajme të mira edhe për familjet që preken nga shpronësimi, duke u siguruar atyre se, do të marrin vlerën më të mirë të tregut.

Por, gjithashtu, kjo për Peleshin tregon edhe një pikë të fortë të Shqipërisë, e denjë për të qenë aleate e NATO-s.

“Ky është një zhvillim, mbi 50 milionë euro investim, punësim për të gjithë zonën përreth”, tha ai.

Investimi konsiston në ndërtimin e depove të armatimit dhe të karburantit, stacioneve të armatimit, parkingut të avionëve, stacionit kundër avarive dhe zjarreve, rindërtimin e pistës dhe kullës së kontrollit.

Kontributi i palës shqiptare shkon në rreth 10% të vlerës së përgjithshme të investimit në këtë bazë, e cila me investimin e NATO-s do të kthehet në një bazë taktike të dislokueshme.