Ekziston një propozim konkret për ngritjen e një baze detare të NATO-s në Durrës.

 Kështu ka bërë me dije Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pasi është kthyer nga Samiti treditor i Aleancës së Atlantikut të Veriut, ku në paraqitjen në terma të gjerë të projektit, kreu i Qeverisë ka shpjeguar se pjesa komerciale e portit të ri të Porto Romanos do të financohet nga shteti shqiptar, ndërsa një ftesë u ka shkuar strukturave të NATO-s për pjesën ushtarake të parashikuar.

Ky angazhim është në vazhdën e atij të ngritjes së bazës ajrore të organizatës ushtarake më të madhe në botë, në qytetin e Kuçovës. Një bazë kjo, e cila cilësohet si me një rëndësi shumë strategjike jo vetëm për vendin, por edhe për gjithë rajonin.

Shpresa mbetet e madhe ndërkaq për zgjidhjen përfundimtare të ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo do t’i hapte edhe rrugën përfundimisht çeljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Kam qenë gjatë gjithë kohës në kontakt me presidentin francez, Emmanuel Macron”, deklaroi Rama mbi situatën. “Ai ka bërë një punë për t’u falënderuar dhe në këndvështrimin tim, propozimi i ri është plotësisht i pranueshëm”.

Mbi këtë premisë, Rama i ka bërë sërish thirrje Kuvendit të shtetit fqinj, Maqedoni e Veriut, që ta pranojë propozimin e Macron-it.

Ndërsa, nga ana tjetër, pavarësisht se ka vlerësuar bisedimet e fundit me Bullgarinë, kryeministri i ka qëndruar besnik deklaratës të mëparshme se ngërçi nuk është trajtuar në mënyrën më të mirë prej Sofjes.

Megjithatë, ai e ka quajtur “ujë që ka kaluar nën urë” gjithë çështjen.

Pritshmëritë e Ramës për procesin, sërish janë të papërfillshme, sipas tij, pasi Shqipëria e ka bërë gjithçka është e nevojshme dhe mbetet vetëm të presë vendimin e të mëdhave.

E vetmja që ka rëndësi për të, është fakti se dinjiteti i shqiptarëve është zë-lartë në çdo tryezë, po aq sa dinjiteti i çdo populli tjetër evropian.