(Foto: Presidenti amerikan, Barack Obama, gjatë konferencës së tij të fundit për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, më 16 dhjetor)/.

Deri në 20 janar, data e marrjes së detyrës nga Donald Trump, presidenti në largim ka kohë të marrë masat e tij të fundit.

Barack Obama hyn në korsinë e fundit të mandatit të tij presidencial. Më 20 janar 2017, Donald Trump, zgjedhja e të cilit u konfirmua më 19 dhjetor me votën e zgjedhësve të mëdhenj, do të bëjë betimin dhe do të vendoset në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti në largim ndodhet kësisoj në pozitën e pakëndshme të “rosakut çalaman” (lame duck), sipas shprehjes së përdorur përtej Atlantikut: atë të një të zgjedhuri mandati i të cilit po skadon por që është ende në detyrë, ndërkohë që pasardhësi i tij është zgjedhur tashmë, por nuk e ka marrë ende detyrën.

Megjithatë, Obama nuk duket i gatshëm të paraqesë “profil të ulët”, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit zyrtar, që i kufizon, teorikisht, hapësirat e tij për të manovruar. Sa për provë, më 20 dhjetor, ai dekretoi ndalimin e shfrytëzimit të naftës dhe gazit në zonat e gjera të Arktikut dhe Atlantikut. Vëzhguesit e konsiderojnë këtë një lloj grushti shteti para ardhjes së zotit Trump, pasi kjo dispozitë bie ndesh me synimet e këtij të fundit, i cili, përkundrazi, ka premtuar se do të shfuqizojë kufizimet e nxjerrjes së naftës gjatë mandatit të tij.

A do të përfitojë Barack Obama nga javët në vazhdim për të ndërmarrë të tjera masa përpara se të largohet nga detyra? A i ka mjetet për ta bërë këtë? Po ju paraqesim më poshtë një përmbledhje të levave që ai disponon akoma, ose jo, dhe të qëndrueshmërisë së masave që ai mund të marrë.

A mund të kalojë  reformat e reja? -JO.

Sidoqoftë, jo duke kaluar nga Kongresi (pushteti legjislativ). Që prej dy vitesh, Obama nuk ka shumicë aty. Kjo është arsyeja pse të gjitha reformat me peshë të presidentit në ikje janë bllokuar. Zgjedhjet e fundit u mundësuan në të vërtetë republikanëve të sigurojnë shumicën në Senat, ndërkohë që e kontrollonin Dhomën e Përfaqësuesve që nga viti 2010. Demokratët nuk ia dolën ta përmbysnin këtë raport në zgjedhjet e fundit, në nëntor.

A mund t’i “anashkalojë”  parlamentarët? – PO. Në disa raste.

Ka leva që i kanë mundësuar konkretisht Obamës të veprojë për çështjen e armëve, për të promovuar diversitetin brenda Sigurisë kombëtare, apo për të mbrojtur një pjesë të Detit të Beringut. Bëhet fjalë për veprime ekzekutive [executive actions], përkatësisht dekretet presidenciale (urdhëra ekzekutive) apo memorandume, të destinuara për të sqaruar mënyrën se si duhet të zbatohet legjislacioni ekzistues (dekretet duhet domosdoshmërisht të përmendin ligjin përkatës, ndryshe nga memorandumet).

Presidenti ka në dispozicion një mjet të tretë për ta kapërcyer miratimin e Senatit. Obama ka përdorur politikën e jashtme. Për shembull, për të “nënshkruar Marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimin e klimës dhe për të përmbyllur marrëveshjen e diskutueshme për programin bërthamor të Iranit”, vëren John Copeland Nagle, një profesor i drejtësisë në Notre Dame Law School.

Obama, megjithatë, i përdori më pak dekretet presidenciale se paraardhësit e tij republikanë, Ronald Reagan dhe George W. Bush, por ka më shumë memorandume, sipas USA Today.

A janë vendimet e marra përmes “veprimeve ekzekutive” të pakthyeshme? – JO.

Përdorimi i këtyre veprimeve ekzekutive nuk parashikohet shprehimisht nga Kushtetuta amerikane. Përdorimi i tyre është gjykuar, në mënyrë të përsëritur, si abuzive apo “antikushtetuese” nga republikanët. Në të vërtetë, u takon gjykatave federale (në rast ankimimi) apo Gjykatës së Lartë (në rast apelimi) të vendosin nëse këto akte ekzekutive janë në përputhje apo jo me Kushtetutën.

Barack Obama nuk i ka përdorur dekretet presidenciale më shumë se shumica e paraardhësve të tij.

Gjithsesi, shumica e këtyre akteve ekzekutive mund të “shfuqizohen menjëherë nga Donald Trump”, paralajmëron Vincent Michelot, profesor i qytetërimit amerikan në Sciences Po Lyon.

Këtë ka premtuar ndërkohë banori i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë, i cili ka ndërmend t’i rishikojë shumë prej reformave të paraardhësit të tij. Në kontratën e tij presidenciale, mund të lexojmë se ç’ka ndërmend të bëjë ai që në ditën e tij të parë në detyrë: “Së pari, të shfuqizoj të gjitha veprimet ekzekutive antikushtetuese, memorandumet dhe dekretet e zbatuara nga Presidenti Obama. ”

A mund ta detyrojnë pasardhësin e tij disa akte presidenciale të ndërmarra nga Obama? – PO.

Përballë rrezikut të shfuqizimit të tyre nga pasardhësi i tij, Obama ka disa liri veprimi: të zbatojë, përmes veprimeve ekzekutive, ligje që nuk parashikohen për t’u shfuqizuar. Këtë gjë bëri ai për të ndaluar shpimet në det të hapur në Arktik dhe në Atlantik: ai u mbështet në ‘Outer Continental Shelf Lands Act’, ligji për tokat e pllajës kontinentale, i cili i jep Presidentit fuqinë për të mbrojtur ujërat federale dhe e bën këtë mbrojtje të përhershme në kohë.

Ligji aktual nuk lejon të jepen leje të reja për shfrytëzimin e hidrokarbureve në një zonë të ndaluar. Dhe Vincent Michelot specifikon: “Disa rregulla të nxjerra këto ditët e fundit do të jetë shumë e vështirë të shfuqizohen […] sepse e kanë konsumuar kohën parlamentare. Ato u japin gjithashtu mundësinë shoqatave për mbrojtjen e mjedisit ta adresojnë debatin në gjykatë, çka do të thotë që procedurat do të zgjasin nga dy deri në katër vjet. ”

A mund të shumfishohen këto lloj masash në ditët e ardhshme? Vincent Michelot nuk e përjashton këtë mundësi: “Nëse ka vendime të tjera të ngjashme në qarkullim, veçanërisht në fushën e mjedisit, interesi i Obamës është të mos i njoftojë paraprakisht, për të përfituar nga faktori surprizë dhe sidomos për ta vënë administratën Trump me shpatulla pas murit”.

 

A ka Presidenti në largim kompetenca të tjera në fund të mandatit? – PO.

Barack Obama ka mundësinë, për shembull, të pezullojë drejtuesit e administratës apo të ushtrisë dhe të bëjë publike programe konfidenciale. E përjavëshmja majtiste The Nation i bëri thirrje, në fillim të dhjetorit, për të përdorur disa nga këto fuqi. Konkretisht për të “deklasifikuar dokumente sekrete, për të falur informatorët [si Chelsea Manning dhe Edward Snowden] dhe për të ndëshkuar zyrtarët e lartë që kanë abuzuar me pushtetin e tyre”. Tani për tani, presidenti demokrat nuk i është përgjigjur kërkesës së tyre.

Për më tepër, Neni 2 i Kushtetutës së SHBA i jep Presidentit pushtetin për “të dhënë […] falje për vepra kundër Shteteve të Bashkuara”. Kjo është një prerogativë që Obama e ka përdorur gjerësisht në ditët e fundit.

Vetëm në datën 19 dhjetor, ai dha 153 “kalime” (ulje ose heqje dënimi) dhe 78 “falje” (kapërcim i dënimit, pasi ky i fundit është kryer dhe falja nuk bie ndesh me të drejtat civile – e drejta për të votuar, për shembull). Ai e ka thyer tashmë rekordin historik të numrit të faljeve të dhëna nga një president në detyrë, çka e bën Obamën, kampion të faljeve presidenciale

“Do të ketë të tjera falje presidenciale për disa të dënuar”, parashikon Vincent Michelot. Administrata Obama i druhet një kthese të sigurt me Trumpin. Kjo lëvizje faljesh është pra edhe një mesazh politik. Deklarata e fundit e Shtëpisë së Bardhë mbi këtë çeshtje është e qartë: “Na duhet të kujtojmë se falja është një mjet i fundit dhe se vetëm Kongresi mund të zbatojë reforma më të gjera të domosdoshme për të siguruar që sistemi ynë i drejtësisë penale të funksionjë në plan afatgjatë në mënyrë më të drejtë dhe më efikase në shërbim të sigurisë publike”.

/Veritas.com.al/