Koment/

Mediat u gëzuan për lajmin,  gjatë gjithë ditës kishin qenë o pa bukë, o me pak ‘ thërrime’. Mediat në shërbim të kundërshtarit u gëzuan aq sa u shqyen ekranet dhe portalet… Nuk vura re ndonjërin, deri tani, që të mendohet pak dhe të shprehet ndryshe nga ’emfaza’.

Ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pas një kalvari të gjatë hamendjesh, akuzash, hetimesh, thashethemesh…, më në fund u vendos që të dërgohet për gjykim.

Saimir Tahiri do të gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Gjykata  ka vendosur të mos pushojë çështjen siç kishte kërkuar ish-ministri por të nisë gjykimin e çështjes ‘Tahiri’.

Seanca e pyetjeve në gjykatën e Krimeve të Rënda zgjati sot rreth 8 orë. Ish-ministri ka kërkuar pushimin e çështjes nga gjyqtarja dhe në rast se kjo kërkesë nuk pranohet, Tahiri kërkon gjykim të shkurtuar por pa pranuar fajësinë në gjendjen që janë aktet, që të mos ketë zvarritje të çështjes.

Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Ky ishte lajmi.

Por pyetja është se çfarë do të thotë fakti se ish- ministri Tahiri u dërgua nga prokuroria në gjykatën e Krimeve të Rënda ku do të merret vendimi që i vë ‘ kapak’  gjithë legjendës. Gjasat që zoti Tahiri të shpallet fajtor për aferën ku akuzohet, janë shumë të mëdha; por sa do të jetë dënimi- të gjithë bëjnë thashetheme sipas dëshirës tani pë tani.

Gjykimi i Tahirit në Gjykatën e Krimeve të Rënda është i pari që ndodh këto tre dekada për një funksionar të lartë të shtetit. Gjykimi i politikanëve të lartë ka ndodhur në vitet e para të demokracisë, por për kundërshtarët brenda Partisë në pushtet: Azem Hajdari, Gramz Pashko, Genc Ruli, Ilir Hoti, etj; të cilët ishin akuzuar më shumë për inate pushteti se për prova. Pas kësaj nuk ndodhi që të gjykohet dikush nga ‘ kupola’. Madje as në tragjedinë e shkatërrimit të vitit 1997, nuk u gjykua askush. Mos- ndëshikimi u kthye në stil dhe metodë të ushtrimit të pushtetit. Në fund të 30 vjetëve ‘ post- komunizëm’ aleatët tanë perëndimorë u detyruan të shpallin hapur se Shqipëria ndodhet në ‘moçalin’  e pandëshkueshmërisë.

Gjykimi i ish- ministrit Tahiri në Krimet e Rënda duket si një përpjekje për t’ i dhënë  fund mos- ndëshkueshmërisë.

Por pyetja bëhet: A është Tahiri një viktimë për të vërtetuar se ‘nisi ndëshkueshmëria’, apo është numri Një i radhës së zyrtarëve të lartë që do të radhiten në shtrungën e ligjit?  Zyrtarë të lartë fajtorë në krim në vendin tonë janë me shumicë, por edhe lart në kupolë. Me sa duket ‘drejtësia e re’  hapi rrugë edhe për ata.

Pse dërgohet tani para gjyqit ish- ministri i akuzuar prej dy vjetësh?

Gazetarët më të dobët dhe ‘mistreca’  e bëjnë këtë pyetje; por në rastin tonë ndoshta ia vlen të ngjajmë pak me ata. Ky është momenti kur në vendin tonë janë ngritur shumë faktorë që po përpiqen të venë pengesa në rrugën për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Një nga pengesat e shpallura si këtu edhe në Bruksel, ka qenë gjykimi i Saimir Tahirit. Tani ky u bë realitet, dmth., u hoq një pengesë. Po pengesat e tjera, si psh., lënia e mandateve nga opozita, gjykimi i Bashës për financime ruse në fushatën elektorale, përdorimi i dhunës në protesta…, vallë a do të eleminohen gjatë rrugës?…

Këto janë pyetje që qëndrojnë pas gjykimit të Saimir Tahirit…

Veritas.com.al/