Në stadiumin “Air Albania”, Tiranë, gjatë kësaj dite do të luhet ndeshja finale mes dy ekipeve të Conference League, Roma-Feyenoord.
 Autoritetet shqiptare prej javësh kanë marrë të gjitha masat, që tifozët italianë dhe holandezë të ndihen të sigurt në Tiranë.

Kryeqyteti i Shqipërisë të mërkurën e 25 majit do të jetë gati “i paralizuar”. Sheshet e mëdha janë kthyer në qendra “fan zone”, ndërsa rrugët janë bllokuar.

Ishte ministri i Brendshëm në Shqipëri, Bledi Çuçi, i cili pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, bëri me dije se data 25 maj do të jetë ditë pushimi për të gjithë qytetarët në Qarkun e Tiranës.

“Data 25 do të jetë një ditë pa makina, nuk do të ketë qarkullim të makinave në Tiranë, përveç ambulancës. Të gjitha akset hyrëse do të bllokohen në datën 25 deri në orën 6 pasdite”, u shpreh Çuçi.

Ministri u ka bërë thirrje bizneseve private të cilat nuk janë të përfshira me organizimin e ndeshjes (përjashto restorantet dhe baret) që të shmangin lëvizjet e mundshme.

Po ashtu edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, e ka cilësuar 25 majin si një “ditë feste”.

Nano në daljet e tij për mediat ka theksuar se Policia e Shtetit do të jetë në gatishmëri për të sigurar tifozët dhe qytetarët shqiptarë.

Një ditë më parë drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato, ka bërë me dije se përveç rrugëve të Tiranës, edhe ato interurbane do të kenë një vëmendje të shtuar nga Policia e Shtetit.

 

(Stadiumi “Air Albania”)

Sipas Qatos kufizimi është i ndarë në disa nivele dhe transporti i tifozëve do të ketë përparësi.

Kufizimi i parë ka të bëjë me rrugët interurbane kryesore që furnizojnë Tiranën dhe kanë të bëjnë më tepër nga krahu që vijnë tifozët, Rinas-Tiranë, Durrës-Tiranë dhe aksi Fushë-Krujë-Tiranë.

Nga kjo e fundit sipas informacioneve të Policisë do të vijnë një numër tifozësh të cilët do të zbresin në aeroportin e Prishtinës dhe Potgoricës. Ata do të drejtohen me autobusë dhe mjete private të marra me qira në këto shtete në drejtim të Tiranës.

Po ashtu edhe nga krahu i Elbasanit do të ketë fluks tifozësh pasi pritet të vijnë nga shteti grek drejt Shqipërisë.

Ndërkohë është njoftuar që në mënyrë kategorike nuk do lejohet asnjë mjet i tonazhit të rëndë të qarkullojë nga mëngjesi i kësaj dite.

Konkretisht rruga Tiranë-Durrës, Durrës-Tiranë, Rinas-Tiranë, pjesën e TEG-ut në drejtim të Tiranës, Fushë-Krujë, krahu i Vorës do jenë rrugë të dedikuara vetëm për mjete që transportojnë tifozë që do marrin pjesë brenda stadiumit për të parë ndeshjen, por jo vetëm.

“Do jetë një kufizim i plotë dhe kemi marrë të gjitha masat. Kemi njoftuar shërbimet përkatëse”, ishte deklarata e Qatos.

Kufizimi i tretë do jetë Unaza e Vogël, ku nuk nuk do ketë asnjë lidhje hyrëse nga Unaza e Mesme në Unazën e Vogël.

Të gjitha rrugët lidhëse do të jenë të bllokuara dhe nuk do lejohet asnjë mjet për të hyrë.

Këtu lejohen vetëm tre kategori mjetesh: kategoria e mjeteve që shoqërohet nga policia, ekipet, personalitet VIP të përcaktuara nga UEFA që do të shoqërohen me eskortë të policisë dhe media e cila do të hyjë nga rruga Dervish Hima.

Ndërsa pjesa tjetër që kanë bileta do hyjnë nga sheshi Shopen. Brenda Unazës së Vogël nuk do ketë qarkullim, do jetë një zonë pedonale, përveç një harku kohor të përcaktuar dy orë para ndeshjesh që do qarkullojnë këto mjete të dedikuara.

Rruga e Kosovarëve dhe parkimet rreth kësaj rruge janë të dedikuar për tifozë italianë.

Pjesa që ka të bëjë me dy krahët e Bulevardit Bajram Curri dhe Zhan D’ark janë të dedikuar për autobusë që transportojnë tifozët e Feynoord-it.

Tifozët e Romës dhe Feyenord-it do të shoqërohen edhe nga policitë respektive si italiane ashtu edhe holandeze./AP/