Ministria e Shëndetësisë bën me dije rastet e të prekurve me Covid 19 në vendin tonë. Në 24 orët e fundit mësohet se janë 152 të infektuarit dhe 52 të shëruarit.

Po ashtu konfirmohet se kanë humbur betejën me sëmundjen 2 pacientë, një 57 vjeçar dhe një 65 vjeçare nga Tirana, me sëmundje të bashkëshoqëruese.

Fjala e plotë nga Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përmes strukturave të shtuara të epidemiologëve vijon identifikimin, gjurmimin dhe hetimin e rasteve të dyshuara me COVID19, me qëllim izolimin e vatrave të infeksionit.

Angazhimi i shtuar i epidemiologëve në terren bëhet akoma edhe më i domosdoshëm me fillimin e viti të ri shkollor, ku mësuesit dhe nxënësit do të kenë prioritet për testimin.

Mësuesit për çdo shqetësim duhet të kontaktojnë me koordinatorin e shkollës, i cili lidhet me strukturat e shëndetësisë për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar.

Është shumë i rëndësishëm në këtë moment, kur shtohet rreziku me hapjen e shkollave, bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve për të kufizuar përhapjen e infeksionit.
Është e rëndësishme të respektohen rregullat e higjienës, distancimit dhe përdorimit të maskës kudo në ambientet e mbyllura dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën.

Situata në spitale vijon të jetë e qëndrueshme. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 171 pacientë, 18 në terapi intensive nga të cilët 8 pacientë janë të intubuar.

Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, e kanë humbur betejën me COVID19 një 57 vjeçar dhe një 65 vjeçare nga Tirana, me sëmundje të bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Janë kryer në 24 orët e fundit 810 testime dhe janë konfirmuar 152 raste.